E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, dezinfektohen fshatrat ku u shfaqën ethet

Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik e Qarkut të Kukësit, ka dezinfektuar fshatrat Tregtan, Vlahna, Fajza dhe Zgjeç në rrethin e Hasit, si dhe Gjegjan dhe Bardhok në rrethin e Kukësit.

Deri tani janë evidentuar 9 persona të prekur me ethe hemorragjike, por situata, sipas burimeve të ISHP-së së Kukësit, është nën kontroll. Nga të prekurit, ka patur vetëm një rast vdekjeje, një grua e cila ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës.

Për monitorimin e situatës në qarkun e Kukësit, dje ka qenë i pranishëm edhe Drejtori i Shëndetit Publik Pëllumb Pipero. Në takimin me drejtuesit e shëndetësisë ai ka kërkuar marrjen e të gjitha masave për luftimin e sëmundjes, ndërsa ka premtuar "mbështetjen për gjithçka" nga Ministria e Shëndetësisë. Pipero ka porositur që "çdo rast i dyshimtë të dërgohet në spitalin infektiv të Tiranës".

Sëmundja e etheve hemorragjike u shfaq në muajin qershor, pas të nxehtit të madh. Sëmundja e etheve hemorragjike nga viti ’85 është shfaqur çdo vit në qarkun e Kukësit. Ethet hemorragjike e kanë burimin e infeksionit te kafshët si miu e insektet, veçanërisht nga rriqra, që në këtë periudhë gjallon në të gjitha mjediset.

Kjo sëmundje jep temperaturë, ethe dhe hemorragji të brendshme dhe, nëse nuk kurohet me shpejtësi, mund të shkaktojë vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›