E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis zhvendosja e "tregut të Gjanicës"

Deri në javën e parë të muajit shkurt, tregu industrial i Fierit do të zhvendoset tërësisht. Kjo është kërkuar nga kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj, i cili ka rënë në një marrëveshje me këshillin e bashkisë dhe tregtarët, e cila është pasuar me një urdhër që largon tregtarët e Gjanicës nga vendi ku kanë punuar për më shumë se 17 vjet. Urdhri i kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqaj, është bazuar në marrëveshjen mes tregtarëve dhe këshillit bashkiak dhe konsiderohet si zgjidhje përfundimtare për ndotjen e lumit Gjanica nga tregtarët. Urdhri ka nisur të zbatohet dje në mëngjes për tregtarët e urës metalike mbi Gjanicë, ndërsa deri më datën 9 shkurt, ai do të zbatohet edhe për pjesën tjetër të tregut. Kreu i policisë bashkiake, Bashkim Ymeraj, tregon se zbatimi i urdhrit është i vështirë. Ymeraj deklaroi se deri tani po përpiqet bashkë me vartësit e tij, si dhe me ndihmën e policisë së rendit që të zbatojë pjesën e parë të urdhrit administrativ, largimin e tregtarëve nga urat. Aktualisht është pezulluar aktiviteti i rreth 86 tregtarëve që tregtonin mbi urë, ndërsa buzë lumit Gjanicë ushtrojnë aktivitetin rreth 600 tregtarë, pjesë e cila e ka kundërshtuar gjithnjë largimin nga ky treg. Ata kanë arritur deri aty sa janë ngujuar edhe në grevë urie për të mos u larguar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›