E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 27-vjeçarit, shiste drogë në lokalin me qera

 

TIRANE - Shërbimet e Antidrogës në policinë e kryeqytetit arrestuan dje një banor të Bathores, të cilit iu gjet në lokalin e marrë me qira një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Burime zyrtare nga policia, thanë se dje rreth orës 21.00, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kryen arrestimin në flagrancë të Alfred Xhaferrit, 27 vjeç, lindur në Buz-Mal, Krujë dhe banues në Bathore. Sipas burimeve të policisë, ky person u arrestua në një lokal në Bathore, të cilin e kishte marrë me qera, pasi gjatë kontrollit ju gjetën 14 qese me bimë narkotike "cannabis sattiva", të cilat i mbante të fshehura nën banak. "Në cilësinë e provës matetriale u sekuestrua 44.4 gramë, bimë e dyshuar si lëndë narkotike "cannabis sattiva", thanë burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas tyre, pas hetimit të rrethanave të ngjarjes, dosja i kaloi Prokurorisë së kryeqytetit për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal. Nga burimet e policisë mësohet se kontrolli në lokalin e të arrestuarit është kryer mbi bazën e informacioneve paraprake që agjentët e antidrogës kishin siguruar ditët e fundit. Në rrugë operative ata kanë marrë informacion për mundësinë e mbajtjes së drogës në lokalin e marrë me qira nga 27-vjeçari dhe kanë vendosur menjëherë të verifikojnë situatën, duke bërë kontroll në lokal. Policia ka dyshime se i arrestuari e ka përdorur lokalin për shpërndarjen e drogës.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›