E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, mirëmbajtja e autostradës "mision i vështirë"

Drejtoria e Rrugëve Rajonale në Kukës ndihet "e pafuqishme" për të menaxhuar segmentin e autostradës Fushë-Dukagjin (Kolsh) deri në Morin. Një urdhër i dikasterit qendror të rrugëve në Tiranë ia ka deleguar Kukësit menaxhimin e 23 km të autostradës gjatë periudhës së dimrit. Për drejtorin Rushit Gashi, kjo detyrë është mjaft e vështirë, për shkak të kapaciteteve modeste të ndërmarrjes së tij, si dhe shtrirjen shumë të madhe të rrjetit rrugor që mirëmban. Ai ngre nevojën e shtimit të mjeteve dhe njerëzve për arritjen me cilësi të kësaj detyre. Mësohet se në magazinën e ndërmarrjes ndodhen rreth 100 tonë kripë, sasi kjo e mjaftueshme vetëm për 5 ditë me dëborë. Drejtues të Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes thonë se mund të ketë edhe furnizime të tjera, por sidoqoftë, kjo është një sasi shumë e vogël për rrugët e Kukësit, aq më pak për një segment autostrade si Durrës-Kukës-Prishtinë. Vitet e kaluara, sasia e kripës pothuajse nuk është përdorur fare, pasi është vepruar me skorie. Në rrugët e asfaltuara është hedhur skorie në vend të kripës, e cila merrej nga stoqet e mbetjeve të uzinës së bakrit në Rexhepaj. Kjo është kritikuar nga specialistët, për shkak se dëmton rëndë automjetet, si edhe ndot në mënyrë të pariparueshme mjedisin. Ndërkohë, mësohet se një sasi kripe i shkon Ndërmarrjes së Rrugëve komunale që menaxhohen nga pushteti vendor dhe varen kryesisht nga Këshilli i Qarkut. Ky i fundit, më se një herë, është ndodhur në vështirësi për rrugët e komunave, pasi shpenzimet që duhen për të zhbllokuar një rrugë të zonave të thella në Kukës i tejkalon shpenzimet disa herë. Komuna të tilla si Arrni, Zapodi, Grykë Çaja etj., vitin e shkuar mbetën për shumë javë të bllokuara.

Problemi më i mprehtë që shfaqet janë mjetet që disponon ndërmarrja rajonale e rrugëve. Veç faktit se janë të pamjaftueshme në numër, ato janë jo efikase për sistemin e deritanishëm të rrugëve. Dy-tre fadroma dhe një kamion që ngarkohet me skorie, nuk mund të futen në autostradë. Sipas drejtorit Gashi, ato mjete dëmtojnë sinjalistikën horizontale të autostradës, sepse platforma, thikat e tyre nuk janë të pajisura me goma, gjë që gërryen asfaltin apo së paku vijat e rrugës. Përveç kësaj, ndërmarrja nuk posedon hedhëse kripe për autostradën dhe hedhja e kripës bëhet nga punëtorët me lopatë. Ndërkohë që mirëmbajtja e autostradës, praktikisht pastrimi nga dëbora, kërkon një teknikë të caktuar dhe mjete të mjaftueshme financiare. Mësohet se janë rreth 350 km rrugë nacionale të rajonit të Qarkut të Kukësit që menaxhohen nga kjo ndërmarrje. "Shtimi i kësaj pjese të autostradës për ta mirëmbajtur gjatë dimrit është detyrë mjaft e vështirë për ne, pasi nuk kemi mjete moderne në dispozicion dhe as personel të nevojshëm", thotë drejtori Gashi. Mirëmbajtja e kësaj pjese të autostradës në një zonë ku dimri është me shumë dëborë, kërkon mjete moderne të pastrimit të dëborës, por edhe të hedhjes së kripës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›