E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, orteqet bllokojnë banorët në dëborë

RESHJET/ Moti i keq i këtyre ditëve ka sjellë jo pak probleme në veri të vendit

KUKËS- Dëbora dhe ngricat nuk kanë kaluar pa incidente në qarkun e Kukësit. Si pasojë e orteqeve që kanë rënë në rrugën Fierzë-Qafë-Mali kanë mbetur të bllokuar në dëborë 16 pasagjerë të dy furgonave të linjës Bajram-Curri-Tiranë. Pasagjerët prej orës 22:00 të mbrëmjes së shtunë janë bllokuar në vendin e quajtur Përroi i Plepit në aksin rrugor Fierzë-Qafë-Mali për shkak të një oreku. Pasagjerët përmes telefonave celularë kanë kërkuar ndihmë, ku në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur forca të policisë së Pukës dhe Bajram-Currit. Forcave të policisë u është dashur të udhëtojnë për disa orë në këmbë për të arritur në vendin ku qëndronin të bllokuar udhëtarët për shkak të borës së madhe që kishin bllokuar aksin Fierzë-Qafë-Mali. Vetëm rreth orës 08:30 të mëngjesit të së dielës është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës nga orteqet dhe bora dhe dy furgonat kanë vazhduar rrugën drejt Tiranës. Pas kësaj ngjarjeje policia ka bllokuar lëvizjet në aksin rrugor Fierzë-Qafë-Mali për shkak të rrezikut të orteqeve. Për këtë qëllim në liqenin e Komanit në ditën e diel kanë lundruar njëherësh dy tragete, nga një që lundron zakonisht. Kjo masë është ndërmarrë për të përballuar fluksin e kërkesave në rritje pas mbarimit të festave dhe kthimit të studentëve në auditore. Dëbora e këtyre ditëve ka arritur trashësinë e 30 centimetrave në qytetin e Kukësit, ndërkohë që në Qafën e Malit, në aksin rrugor Kukës-Fushë-Arrës, trashësia e saj ka arritur deri në 1 metër, ndërsa në fshatrat e thellë si Rragam i Shalës, Valbonë e Lekbibaj të Tropojës trashësia e dëborës ka arritur deri në 1,5 metër. Në Shishtavec të Kukësit e Kërnajë të Tropojës trashësia e dëborës ka arritur në 1 metër. Për pasojë vazhdojnë të jenë të izoluara nga dëbora dhe ngricat 11 komuna të qarkut të Kukësit, ku 8 janë në Kukës, 1 në Has dhe 2 në Tropojë. Sekretari i prefekturës së Kukësit, Rexhep Cena, thotë se rruga kombëtare Morinë (dogana)-Kukës-Fushë-Arrës-Pukë-Mjedë (Shkodër) është e kalueshme për automjetet vetëm me një aks dhe me zinxhirë. Vështirësi të mëdha po hasen në qarkullimin e automjeteve në rrugën Kukës-Krumë. Sipas drejtuesve të automjeteve që udhëtojnë në këtë aks, rruga paraqet mjaft probleme, ku udhëtimi në një rrugë prej 30 kilometrash ka zgjatur deri në katër orë. Si pasojë e vështirësive në qarkullimin rrugor në akset kombëtare të verilindjes së Shqipërisë, qytetarët kosovarë kanë braktisur qarkullimin përmes pikë-kalimit kufitar të Morinit në Kukës. Drejtori rajonal i Kufirit në Kukës, Ylber Zyberi, ka bërë të ditur për “Shekulli”-n se të dielën deri në orët e vona të mbrëmjes kanë kaluar në Shqipëri përmes pikë-kalimit kufitar të Morinit vetëm 15 autovetura me qytetarë nga Kosova që kishin si destinacion portin e Durrësit. Ndërkohë, të shtunën paradite janë kthyer mbrapsht dy autobusë me shtetas nga Kosova që punojnë e jetojnë në vendet perëndimore, ndërsa kanë vazhduar rrugën përmes Kukësit 20 autovetura dhe një autobus.

-----------------------------------------------------------Librazhd, pasagjerët strehohen te të afërmit

LIBRAZHD - Si rezultat i rënies së vazhdueshme dhe pa ndërprerje të reshjeve të dëborës 24 orët e fundit, kanë krijuar mjaft probleme dhe situata është tepër e rënduar në rrethin e Librazhdit. Për shkak të kohës së keqe shumë furgona kanë qëndruar në Librazhd dhe një pjesë e udhëtarëve kanë qenë mysafirë në shtëpitë e librazhdasve dhe një pjesë kanë fjetur në hotelet e këtij qyteti. Janë vënë në dispozicion dhe mjetet e disafirmave private për të hapur rrugën dhe mos u bllokuar qarkullimi i automjeteve. Mjetet e dy firmave private kanë punuar në të gjithë gjatësinë e aksitrrugor Murrash - Qafë-Thanë për të hapur rrugën, ndërsatë dielën janë vendosur edhe nga Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve Elbasan dy mjete të tjera. Problematike ka qenë rruga nacionale Librazhd-Pogradec, e cila ka qenë e vështirë për t’u qarkulluar për automjetet. Vështirësia e lëvizjes ka filluar që në orët e pasdites së të shtunës. Në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas-Qafë-Thanë–Pogradec, trashësia e dëborës ka arritur në 80 centimetra. Reshjet e dëborës kanë qenë të shoqëruara me erëtë fortë dhe mjergull e cila ka vështirësuar edhe lëvizjen e automjeteve. Dhe gjatë ditës së djeshme dëbora ka vazhduar të bjerë pa ndërprerje dhe automjetet janë detyruar të lëvizin me zinxhira. Policia nuk ka lejuar asnjë automjet të qarkullojë pa zinxhirë duke i kthyer mbrapa të gjitha automjetet. Shefi i Komisariatit të Policisë së Librazhdit, Bajram Hajdarmetaj, për “Shekullin” thotë se është punuar gjatë gjithë ditës së djeshme dhe natës së mbrëmshme pa ndërprerje për normalizimin e situatës dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, si dhe shmangien e ndojë aksidenti të mundshëm.

Gjendja e rrugëve në qarqet në vend

Qarku Kukës:

Janë të kalueshme me zinxhirë akset:

1- Kukës-Tiranë, Kukës –Morinë .

2- Krumë- Qafë e Prushit, Krumë- Kukës, Krumë- Golaj

3- Bajram Curri- Qafë Morinë, Bajram Curri-Fierzë, Bajram Curri-Llugaj, Bajram Curri-Margegaj.

Ndërkohë rrugët drejt Komunave të këtij Qarku janë të bllokuara për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.

Qarku Dibër:

Aksi rrugor nacional Peshkopi-Bulqizë-Burrel është i kalueshëm me zinxhirë. Po ashtu janë të kalueshme me zinxhirë dhe akset rrugore Qafë Bualli-Krastë dhe Qafë Bualli-Milot.

Ndërkohë rrugët që lidhin Komunat Kala e Dodës, Selishtë, Zallë Dardhë, Reç, Lurë, Klenjë, Ostren, Derjan, Macukull, Lis, Xibër janë të bllokuara. Të gjitha akset rrugore të tjera të këtij qarku janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Qarku Korçë:

Qafë-Thanë – Pogradec – Qafë-Plloçë – Korçë, si dhe Korçë – Qafë-Qarri – Ersekë dhe në aksin Korçë – Devoll – Kapshticë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve nga të gjitha automjetet që lëvizin në këtë drejtim.

Qarku Shkodër:

Në aksin rrugor Qafë-Mali – Fushë-Arrëz, Qafë-Shllak, Kukës është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

Në rrethin e Pukës rrugët janë të kalueshme me zinxhirë. Janë të bllokuara akset rrugore rurale që lidhin komunat e Iballës dhe Fierzës, si dhe aksi rrugor Qafë-Mali – Fierzë.

Po ashtu janë të bllokuara akset Bogë-Theth, Shkodër-Dukagjin, Tamare-Vermosh.

Qarku Lezhë:

Është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve në akset rrugore: Rrëshen-Milot, Rrëshën-Shpal, Milot-Shkopet, Zejmen-Balldre. Po ashtu është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve dhe në akset e tjera rurale të këtij qarku.

Janë të bllokuara akset rrugore në drejtim të komunave: Fan, Orosh, Kurbnesh, Kashnjet, Dajç Zadrimë, Rrënja e zezë dhe Rrënja e Velës.

Qarku Elbasan:

Akset rrugore të këtij qarku janë të kalueshme me zinxhirë. Edhe në Qafë-Kërrabë është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.

SITUATA

Qarku Kukës

Në këtë qark ka pasur reshje intensive bore, të shoqëruara me erë të fortë dhe me temperatura të ulëta deri në -8 C në qytetin e Kukësit. Trashësia e borës ka arritur 50-60 cm në qytet. Në orën 03:30, në Qafë-Mali u rrëzuan dy orteqe të mëdhenj dhe bllokuan rrugën për gati 5 orë. Për pasojë në Qafë-Mali u bllokua dhe një autobus me 50 pasagjerë për gati 5 orë. Tani rruga është e kalueshme me zinxhirë. Në rrethin e Kukësit situata është mjaft e rënduar dhe pothuajse të gjitha komunat janë të bllokuara.

Në rrethin e Tropojës janë të bllokuara të gjitha rrugët për në qendrat e komunave. Trashësia e borës në qytetin e Bajram Currit është 60 cm dhe vazhdon të bjerë.

Qarku Shkodër

Në rrethin e Pukës vazhdon bora me intesitet, me erë të fortë dhe me ngrica. Aktualisht të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme, por me vështirësi dhe me zinxhirë. Aksi Qafë-Mali - Fierzë dhe Fierzë-Bajram Curri, i kalueshëm me zinxhirë. Vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët për në komunën e Iballës dhe të Qelzës. Në Pukë dëbora intensive ka filluar që parmbrëmë dhe situata po rëndohet. Të shtunën pasdite një situatë problematike u krijua dhe në aksin Lezhë-Shkodër, pasi bora e imët që binte e bëri asfaltin mjaft të rrëshqitshëm dhe rrezikonte aksidentimin e mjeteve. Borë ka rënë edhe në qytetin e Shkodrës, ku trashësia ka arritur në 15 cm.

Qarku Dibër

Janë bllokuar pothuajse të gjitha rrugët e komunave në të gjithë qarkun. Situata është rënduar shumë gjatë natës. Trashësia e borës në Peshkopi dhe në qytetin e Bulqizës ka arritur deri në 60 cm. Rruga nacionale Peshkopi-Shupenzë-Bulqizë-Burrel raportohet e kalueshme me shumë vështirësi, por vetë fakti që temperaturat kanë zbritur deri në -8 gradë dhe borë ka rënë gjithë natën me erë të fortë, sa pastrohet mbyllet përsëri, megjthëse firmat kontraktore vazhdojnë punën. Rruga Kukës-Peshkopi është e pakalueshme. Me vështirësi kalohet dhe rruga e Arbrit.

Qarku Elbasan

Pardje në orën 22:15 u njoftuam për 6 pasagjerë të nisur për në Stërblevë, kishin mbetur në rrugë. Ne kontaktuam me Komisariatin e Policisë në Librazhd të cilët pasi kontaktuan me Komandën e Kufirit në Stërblevë dhe me Kryetarin e Komunës u mundësua kalimi tyre deri në fshatin më të afërt, ku kaluan natën e kaluar.

Qarku Korçë

Janë krijuar mjaft vështirësi në akset Korçë-Ersekë, në Qafën e Qarrit, në aksin rrugor Korçë-Pogradec-Qafë-Thanë, pasi ka ngrica dhe nga Efektivat e Policisë Rrugore lejohen të kalojnë vetëm mjetet me zinxhira. Po kjo situatë është dhe në rrugën Prenjas-Qaf Thanë. Akset nacionale në të gjthë qarkun janë të kalueshme dhe komuna të bllokuara nuk ka.

Me urdhër të Kryeministrit u mobilizuan të gjitha forcat e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e rendit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të mbështetur forcat e Policisë Rrugore për të ngritur postblloqe për organizimin dhe drejtimin e automjeteve në akset rrugore problematikë. Gjithashtu, forcat e xhenios do të mobilizojnë të gjithë potencialin e mundshëm njerëzor dhe të mjeteve për të mbështetur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve.

Zonat e thella malore, dyqanet dhe tregtarët e artikujve ushqimorë janë të furnizuar dhe nuk presim situata problematike, edhe nëqoftëse moti do të vazhdojë me reshje bore dhe me ngrica. Dje që në orën 04:00, Komanda e Forcës së Bashkuar ka nisur në drejtim të Qafës së Malit një borëpastruese, si dhe një karoofiçinë dhe një mikrostacion për ndërlidhje. Gjithashtu, Komanda e Bashkuar ka urdhëruar 40 trupat e KMR Kukës me mjetet e tyre të jenë të gatshëm për çfarëdo ndihme që do t’iu kërkohet.

Parashikimi i kushteve të motit

Sot, më 5 janar, do të mbizotërojë mot me alternime vranësirash dhe kthjellimesh. Temperaturat e ajrit pritet të luhaten: minimalja në vendet malore do të jetë deri në -10 gradë celcius dhe maksimalja do të arrijë në bregdet deri në 11 gradë celcius.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------DËBORA/ Me gjithë problemet që ka sjellë i ftohti polar, emigrantët kanë preferuar martesat për “ngrohje”

Mirditë, dasma me velin e dëborës

Edhe pse muaji janar paralajmërohej si muaj që do të sillte mbërritjen e të ftohtit polar në zonën veriore të vendit tonë, kjo e diel është karakterizuar nga dasma të shumta, dasma që janë bërë në fshat dhe në qytet. Tri të tilla ka pasur në qytetin e Rrëshenit këtë të diel, por dhe dasma të tjera në zona më të thella, ku kalimi i makinave të krushqve dhe të dhëndrit e nuses ka qenë një kalvar më vete. Sidoqoftë, dasmat janë realizuar në orarin e duhur duke mos u munguar “ahengu” në sheshet me dëborë mbi 50 cm si tek shtëpia përcjellëse apo ato pritëse. Dhëndurët kanë qenë kryesisht emigrantë, dhe ata nuk kanë preferuar t’i shtyjnë dasmat, pasi në programin e tyre ka qenë marrja e nuseve me vete për në Itali kryesisht, por dhe Greqi e vende të tjera ku emigrojnë prej vitesh.

Vështirësohet gjendja

Në fshatrat e Mirditës situata paraqitet problematike. Gjysma e komunave Selitë, Fan dhe Kaçinar janë të bllokuara prej tri ditësh, ndërsa aksi nacional që lidh Rrëshenin me Fushë-Arrëzin dhe Kukësin është mbajtur i kalueshëm vetëm me zinxhirë, dhe jo për automjete të tonazhit të rëndë. Por orët e pasdites së të dielës në zonën e Qafë-Benës dhe Qafë-Malit, shiheshin dhjetëra makina të braktisura nga drejtuesit e tyre, dhe binte dëborë në formën e akulli, duke paraparë një situatë edhe më të rëndë në këtë aks nacional që lidhet me Kosovën. Duhet shënuar se katër urgjenca nëpër fshatra si Xibër dhe Ostren, u bë e mundur që pas ndërhyrjes së borëpastruesve dhe policisë të dërgoheshin në spitale. Një grua me shenja akute është mbartur për 3 orë në këmbë nga banorët e fshatit dhe pastaj me fadromë për në spital. Por nga sa shihet mjafton një ditë dëborë për të nxjerrë zbuluar punën parapërgatitore për të mbajtur të hapur akset rrugore, ku nuk shihet të hidhet kripë apo skorje. Këtë shqetësim e ka shprehur për “Shekulli”-n dhe deputeti Qemal Minxhozi, i cili përgjatë këtyre ditëve së bashku me drejtues të prefekturës po e ndjekin nga afër situatën nga afër në këto zona. Ai tha se shtabet ngrihen për të evidentuar, dhe jo për të zgjidhur, sikurse ngjet sidomos në akset nacionale ku nga Miloti në Burrel, vetëm një mjet shihej në rrugë, as skorje e as kripë, duek theksuar se qeveria duhet të bëhet gati për të bërë ndërhyrje, qoftë dhe për ushqime në disa fshatra të bllokuara.

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------KTHIMI/ Kosovarë e shqiptarë të Maqedonisë janë penguar në udhëtimin e tyre drejt Durrësit

Durrës, ngricat dhe akulli vonojnë pasagjerët

DURRËS - Nis në Durrës fluksi i kthimit të emigrantëve shqiptare që udhëtojnë drejt vendeve ku janë të punësuar në shtetin fqinj të Italisë, si dhe vendet e tjera tëBE-së. Po ky kthim ka rastisur me një mot të rënduar për shkak të reshjeve të shumta të dëborës dhe ngricave që po reflektohet në vështirësitë e transporteve të udhëtarëve nga vise të ndryshme të vendit drejt portit pritës. Më i vështirë ka qenë udhëtimi për rreth 17 autobusë që vinin me shtetas shqiptarë të Kosovës, të cilët janë përballur me motin e keq dhe reshjet, gjë që ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme në udhëtimet e tyre. Katër tragete të linjave detare të transportit të udhëtarëve Durrës - Bari kanë mbetur të ankoruar në bankinat e terminalit të trageteve pa e ngritur spirancën për 5 orë radhazi, për shkak të pritjes së pasagjerëve kosovarë dheshqiptarë të Maqedonisë, që ishin penguar në udhetimet e tyre nga moti i ftohtë me ngrica dhe me reshje të vazhdueshme dëbore. Ata kanë qenë udhëtarë tranzit në Shqipëri, në shtegtimin drejt portit italian të Barit. Pasagjerët kanë qenë nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Gjilani, Peja dhe Prizreni. Ata kanë telefonuar duke i vënë në dijeni agjencitë për vonesat që parashikonin në udhëtimin e tyre dhe më pas janë vënë në dijeni edhe autoritetet portuale dhe kufitare të Durrësit. Ata kanë dhënë porosi për shtyrjen e orarit të zakonshëm të nisjeve të trageteve deri në ardhjen dhe përpunimin e plotë të pasagjerëve të bllokuar. Si rrjedhojë, tragetet që e kishin programuar nisjen e tyre në orën 23:00 të së shtunës, janë nisur pesë orë më vonë, në 04:00 të mëngjesit të së dielës. Katër tragete kanë marrë udhëtimin drejt Italisë në një det të përballueshem prej tyre, pasi valëzimi në det ishte rreth 4-5 ballë. Sipas informacioneve të marra, tetë tragete janë përpunuar dje në portin e Durrësit me udhëtarë që kanë lundruar nga brigjet e Durrësit drejt Barit, Ankonas dhe Triestes. Gjashtë tragete kanë marrë linjën e jugut, kurse dy të tjerë për në portet e veriut të vendit fqinj. Oficeri i kapitenerisë së portit të Durrësit, Agim Elezi, pohoi se të dielën lanë terminalin e portit të Durrësit dhe janë nisur drejt Barit 4100 emigrantë e turistë, kurse në dy tragetet që kanë lundruar për në Trieste e Ankona ka pasur afro 1100 udhëtarë.

------------------------------------------------------------------Pogradec, izolohet komuna e Velçanit dhe Mokra

POGRADEC – Është e treta ditë që dëbora vazhdon të bjerë papushim, e shoqëruar me temperatura të ulëta disa gradë nën zero. Për pasojë, rrugët nacionale janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Por situatë më e vështirë ka qenë në zonë e Mokrës ku në disa fshatra trashësia e dëborës ka kaluar mbi 1m lartësi si në fshatrat Bishnicë, Jollë dhe Shpellë. Anëtari i këshillit të komunës, Ramazan Rapçe, nëpërmjet telefonit thotë për gazetën “Shekulli” se të gjitha fshatrat e komunës së Velçanit janë të izoluara. Madje, dje nuk është bërë asnjë tentativë për hapjen e rrugës. Në gjendje të vështirë dhe izolim të plotë janë edhe fshatrat e Losnikut, Senishtit apo Buzaishtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›