E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezha, 24 orë pa ujë dhe drita

Moti/ Situata është rënduar edhe në spitalin rajonal ku po punohet me një gjenerator për të bërë të mundur operacionet

Nga drejtuesit e OSSH-së nuk është dhënë një afat për kohën se kur mund të riparohen defektet në rrjete

LEZHË - Temperaturat e ulëta që kanë shoqëruar vendin këto ditët e fundit kanë sjellë reshje dëbore edhe në prefekturën e Lezhës, duke krijuar mjaft probleme si në rrugët nacionale e rurale, ashtu edhe në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Era e fortë dhe dëbora e rënë kanë lënë pa energji elektrike të gjithë rrethin e Lezhës dhe thuajse gjysmën e rrethit të Kurbinit, duke u shoqëruar edhe me mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa temperaturat kanë shënuar nën 0. Që prej orës 22:00 të ditës së shtunë një defekt në sistemin e transmetimit nga Ulza drejt Lezhës ka lënë pa energji elektrike të gjithë zonën. Defekt ka pasur edhe rrjeti tjetër transmetues, ai nga Vau i Dejës drejt Lezhës. Specialistë të shumtë të mbërritur për të rregulluar defektin janë hasur edhe me një defekt të dytë në afërsi të Rrilës, çka ka sjellë edhe vonesat në riparimin e plotë. Drejtuesit e OSSH-së në Lezhë kanë bërë të ditur se me gjithë masat e marra nga kjo drejtori ka qenë i pamundur sigurimi i energjisë për Lezhën dhe Kurbinin, ndërsa ka dërguar në ndihmë të punonjësve të mbërritur për riparimin e defektit pjesën më të madhe të administratës së saj.Po sipas drejtorit të OSSH-së, probleme ka pasur edhe rrjeti shpërndarës për fshatin Dragushë, ku si pasojë e erës së fortë dhe dëborës së dendur është prishur rreth 3 km linja e furnizimit për këtë zonë. Mjaft probleme kanë pasur edhe fshatra të tjerë të rrethit, pasi kanë një rrjet shpërndarës tepër të amortizuar. Për riparimin e këtyre defekteve nuk është dhënë asnjë afat, ndërsa nuk është bërë i ditur deri në orët e vona të mbrëmjes edhe problemi i mungesës së kësaj energjie për banorët. Mjaft të prekura kanë qenë bizneset private, që e kanë pasur të vështirë ta përballojnë këtë mungesë energjie prej të paktën 24 orësh.

Spitali me gjenerator

Mjaft e vështirë është paraqitur situata edhe në spitalin e Lezhës, ku të gjitha urgjencat dhe ndërhyrjet kirurgjikale janë kryer me anë të një gjeneratori të vendosur për raste emergjente. Sipas drejtorit të spitalit, nuk ka asnjë garanci për mbajtjen nën kontroll të gjendjes, pasi përdorimi për një kohë të gjatë i këtij gjeneratori mund të sjellë edhe prishjen e tij. Po sipas tij, nëse vazhdon kjo situatë nuk ka asnjë garanci për vazhdimësinë e mbajtjes me energji të pandërprerë për spitalin. Nga kjo mungesë e energjisë, një pjesë e institucioneve janë paralizuar në punën e tyre, ndërsa të gjitha stafet janë përqendruar në verifikimin e problemeve të shkaktuara në terren.

Dëbora dhe qarkullimi

Reshjet e dëborës të cilat kanë prekur të gjithë rrethin kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, ndërsa disa fshatra janë bllokuar tërësisht. Edhe pse reshjet kanë filluar të bien gjatë orëve të para të ditës së diel, në pak orë i gjithë vendi është mbuluar. Probleme të theksuara ka pasur në superstradën Lezhë – Tiranë ku kalimi i mjeteve është bërë vetëm me zinxhirë, ndërsa janë shënuar të paktën 15 dalje nga rruga të mjeteve që qarkullonin nga Lezha në drejtim të Shkodrës dhe Tiranës. Për të normalizuar qarkullimin e mjeteve në rrugët që mbulon qarku i Lezhës policia rrugore ka shumëfishuar patrullat e policisë, si edhe ka rritur prezencën e saj kryesisht në superstradën nga Mamurrasi drejt Shkodrës.

------------Librazhd

Energji vetëm për spitalin dhe policinë

Për shkak tëmotit të keq në rrethin e Librazhdit ka pasur mjaft probleme në rrjetin elektrik. Nga dëbora e madhe janë këputur mjaft linja elektrike dhe thyer disa shtylla dhe qytetarët janë përballur me mungesën e energjisë elektrike. Sipas drejtorit të OSSH-së Elbasan Merxhan Leka, “gjendja teknike e nënstacioneve dhe linjave të tensionit të lartë për Prefekturën Elbasan dhe Korçë janë normale. Mbrëmjen e së dielës është furnizuar me energji spitali, komisariati i policisë së Librazhdit, institucionet shtetërore dhe disa fshatra pjesërisht, si dhe qyteti i Librazhdit pjesërisht. Janë rreth 100 vetë të brigadës së avarisë që po punojnë nga Librazhdi deri në Përrenjas për përmirësimin e situatës energjetike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›