Tifozët kundër skuadrës, Rajkard kërkon mbështetje
Skuadra e Barcelonës është përballur me kontestime të ashpra të tifozëve pas barazimit 0-0 me Getafen në ndeshjen e të dielës në kampionat, ku humbi shansin e radhës për t‘iu afruar kreut të renditjes. Tifozët fillimisht valëvitën shamitë e bardha në shenjë mospëlqimi ndaj asaj që shihnin në fushën e lojës, ndërsa më pas, një turmë prej 200 personash u mblodh para tribunës kryesore duke kërkuar largimin e presidentit Laporta dhe të futbollistëve "mercenarë". Ka qenë trajneri Rajkard ai që u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve të mbështetin ekipin në këtë moment të vështirë, kur katalanasit po luftojnë për fitoren e Ligës së Kampioneve. "Në kohë të tilla duhet të ndihmojmë skuadrën dhe të tregojmë bashkim. Ne presim mbështetjen e të gjithë tifozëve për lojtarët, pasi ata janë zemra e Barcelonës dhe duhet t‘u tregojmë të tjerëve që jemi të bashkuar", tha ai.