Trafikantët e drogës çajnë rrethimin
Një sasi prej 161 kilogramësh marijuanë është sekuestruar gjatë një operacioni të organizuar nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në autostradën në ndërtim, Gjirokastër-Tepelenë, ndërkohë që drejtuesi i automjetit dhe një person tjetër u kanë shpëtuar prangave. Burime të policisë bënë të ditur se e gjithë sasia e lëndës narkotike të sekuestruar është gjetur në bordin e një kamionçine, ndërsa drejtuesi i saj dhe një person tjetër e kanë braktisur mjetin dhe drogën që transportonin pas kalimit me forcë të postbllokut policor të ngritur enkas në pikën ndarëse të kufirit administrativ mes Gjirokastrës dhe Tepelenës. Ngjarja spektakolare ka ndodhur pak para mesnatës, kur policia e Komisariatit të Gjirokastrës është vënë në alarm menjëherë pas marrjes së një informacioni mjaft konspirativ për këtë rast trafikimi. Burimet e policisë bënë të ditur se policia ishte e informuar se me një kamionçinë të markës "Volkswagen" ishte duke u trafikuar në aksin rrugor Gjirokastër-Subash-Tepelenë një sasi e pacaktuar lëndësh narkotike. Për këtë arsye është ngritur një postbllok në vendin e quajtur Ormenë, mes Parkut Natyror të Ujit të Ftohtë dhe Urës së fshatit Hormovë. Kamionçina që ishte duke lëvizur në drejtim të Tepelenës është përballur me postbllokun e ngritur nga policia rreth orës 23:50 të së martës. Por drejtuesi i kamionçinës nuk ka përfillur bllokun e policisë dhe nuk ka ndaluar edhe pas shenjës së dhënë për të ndaluar. Duke rritur shpejtësinë ai ka vijuar rrugën. Menjëherë pas refuzimit për të ndaluar, policia është vënë në ndjekje të automjetit. Drejtuesi i mjetit, pasi është siguruar se policia nuk mund të kryente ndalimin e tij, ka ndaluar dhe ka braktisur automjetin së bashku me sasinë e drogës që gjendej në të. Automjeti i braktisur është gjetur nga patrullat e policisë në një ultësirë rreth një kilometër larg postbllokut, në afërsi të fabrikës së prodhimit të ujit mineral "Tepelena", në veri të Parkut të Ujit të Ftohtë. Policia bëri të ditur dje në mesditë se në automjet para braktisjes gjendej edhe një person tjetër, për të cilin agjentët e policisë dyshojnë se mund të jetë pjesëmarrës në këtë trafik lëndësh narkotike. Nga policia dyshohet se dy personat që transportonin drogë kanë shfrytëzuar me shumë zgjuarsi dhe gjakftohtësi terrenin dhe errësirën për fshehjen e tyre. Sipas policëve pjesëmarrës në operacion, trafikantët kanë shfrytëzuar përroin malor në drejtim të lumit Drino dhe duke u ndihmuar edhe nga errësira janë larguar në drejtim të qytetit të Tepelenës. Forcat policore kanë kontrolluar të gjithë zonën ku dyshohej të ishin fshehur personat që sfiduan në mënyrë të dhunshme postbllokun e policisë. Vetëm në orët e mesditës së djeshme policia ka mundur të shoqërojë për në polici dy persona të cilët dyshohet se mund të jenë autorët e kësaj ngjarjeje. Megjithatë nuk bëhet i ditur identiteti i tyre për arsye sekretit të hetimit të ngjarjes. Pas kontrollit të mjetit të braktisur, agjentët e policisë gjetën në brendësi të tij 6 çanta të mëdha sportive me ngjyrë të zezë, të mbushura me marijuanë të presuar. Në pesë nga çantat e sekuestruara gjendeshin 25 pako me marijuanë me peshë 1,5 kg secila, ndërsa në një çantë më të madhe gjendeshin 31 kg marijuanë e paambalazhuar por e presuar.
Policia bëri të ditur gjithashtu se pas kontrollit të kryer rezultoi se automjeti qarkullonte me targa të falsifikuara, GJ2954A dhe mendohet se është përdorur edhe herë të tjera për transportimin e mallrave narkotikë jashtë dhe brenda Gjirokastrës.
Policia bëri të ditur gjithashtu se pas kontrollit të kryer rezultoi se automjeti qarkullonte me targa të falsifikuara, GJ2954A dhe mendohet se është përdorur edhe herë të tjera për transportimin e mallrave narkotikë jashtë dhe brenda Gjirokastrës.