Kukës, policia nxjerr jashtë komisionerët e opozitës
Zgjedhjet vazhdojnë pa praninë e komisionerëve socialistë. Policia: "Vepruam në bazë të urdhrit të KZAZ-së".
Zgjedhje relativisht të qeta janë zhvilluar në të tre rrethet e Qarkut të Kukësit, ndërkohë që problemet më të mëdha janë vërejtur pikërisht në qytetin e Kukësit, ku policia ka nxjerrë me forcë tre komisionerët e Partisë Socialiste nga qendra e votimit me nr. 0652, e ngritur në shkollën "Bajram Curri" të qytetit të Kukësit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, kur komisionerët e Partisë Socialiste nuk kanë pranuar që një grup prej 30 zgjedhësish të votonin, pasi emri i tyre në listë ndryshonte me emrin e tyre në pasaportë apo kartë identiteti nga Elezi, në Elezaj.
Konsensusi nuk është arritur, kështu që KQV-ja, me shumicë votash ka shkarkuar nënkryetarin e komisionit të QV-së, Azem Elezin dhe sekretarin e këtij komisioni, Bilal Trota.
Të dy këto persona kanë qenë përfaqësues të Partisë Socialiste. Megjithëse janë shkarkuar, dy komisionerët socialistë nuk kanë pranuar që të dalin nga qendra e votimit, pasi kanë pretenduar se shkarkimi i tyre ishte në kundërshtim me ligjin. Atëherë, kryetari i komisionit të QV-së ka thirrur policinë, e cila ka rrethuar qendrën votimit.
Komisionerët socialistë e kanë quajtur shkarkimin e tyre në kundërshtim me ligjin dhe kanë kërkuar nga policia që të mos bëhet pjesë në këtë proces.
Përfaqësuesit e PS-së sërish kanë autorizuar personat e përjashtuar, ndërkohë që policia ka qenë e vendosur në veprimet e saj, ku ka nxjerrë me forcë nga qendra e votimit komisionerët socialistë, Azem Elezi e Bilal Trota. Pas këtij veprimi ka braktisur komisionin e QV-së edhe anëtari i komisionit, përfaqësues i Partisë Socialiste, Gëzim Bela.
Ndërkohë që, pas largimit të komisionerëve të opozitës, votimi është zhvilluar vetëm në praninë e komisionerëve të mazhorancës, madje katër anëtarët e këtij komisioni kanë marrë vendim që votimi të shtyhet deri në orën 20:00.
Sekretari rajonal i Partisë Socialiste për Qarkun e Kukësit, njëherësh edhe kryesues i listës së PS-së për këtë qark, ka akuzuar policinë vendore si të implikuar në proces, duke mbajtur qëndrim të njëanshëm.
"Komisionerët tanë zbatuan vetëm ligjin dhe nuk ka asnjë klauzolë ligjore për shkarkimin e tyre", - është shprehur Asllan Dogjani. Në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe shefi i monitoruesve të ODIHR-it për Qarkun e Kukësit, i cili e ka ndjekur procesin që nga fillimi i konfliktit deri në përfundim, duke mbajtur shënimet përkatëse.
Partia Socialiste ka kërkuar nga vëzhguesit e ODIHR-it që kjo qendër votimi të shpallet e pavlefshme, ndëkohë, nga organet kompetente ka kërkuar vënien para përgjegjësisë të shkelësve të ligjit.
Parregullsi janë vërejtur edhe në qendrat e votimit në fshatin Bele, në rrethin e Kukësit dhe në fshatin Kishaj, në rrethin e Hasit, ku është kryer votim familjar. Qarku i Kukësit numëron rreth 77.870 zgjedhës me 217 qendra votimi, ku numrin më të madh e ka rrethi i Kukësit, me 43.583 zgjedhës, Tropoja me 22.300 zgjedhës, ndërsa Hasi ka 12.875 zgjedhës. Pjesëmarrja në votime në Qarkun e Kukësit, llogaritet të jetë rreth 63%.
----------------------------------------------------------------------------------------
Zgjedhjet në Tropojë, të rinjtë pjesëmarrje masive
TROPOJË - Në zonën zgjedhore nr. 36 që përfshin rrethin e Tropojës, zgjedhësit u drejtuan për në kutitë e votimit që në orët e para të mëngjesit. Qendrat e votimit ishin të gatshme dhe komisionerët që në orën 6, pothuajse në 80 për qind të qendrave të votimit ishin të pranishëm.
Trageti i linjës ujore, Fierzë-Koman, kishte ndryshuar orarin e nisjes, duke e shtyrë atë, për t'u dhënë mundësi zgjedhësve të ardhur nga rrethet e tjera, por që kanë lejen e banimit në Bajram Curri, të largohen për në vendbanimet e tyre.
E veçanta e këtyre votimeve ishte pjesëmarrja masive e të rinjve e të rejave që votojnë për herë të parë. Të gjitha qendrat e votimit, sipas kryetarit të KZAZ-së, Avni Ahmetaj, janë hapur në orën e caktuar, është tërhequr baza materiale dhe ka filluar normalisht votimi, duke qenë prezentë të gjithë anëtarët e komisionit.
Në qendrën e votimit Palç, të komunës Lekbibaj, nuk ishte tërhequr baza materiale e, për rrjedhojë, votimi ka filluar me vonesë, në orën 10:00, pasi është dërguar materiali i zgjedhur nga anëtarët e KZAZ-së. Gjithashtu, parregullsi janë konstatuar në qendrën e votimit Maç, komuna Bytyç, ku anëtarët e komisioni të PD-së kanë hapur kutinë e votimit dhe kanë nxjerrë materialet zgjedhore.
Pasi është njoftuar, KZAZ-ja ka vajtur në vendngjarje, duke normalizuar situatën dhe procesi zgjedhor ka vijuar normalisht. Edhe në qendrën e votimit Cerrnicë, komuna Llugaj, ka pasur parregullsi, por është normalizuar menjëherë. Këto zgjedhje, thotë Beqir Bala, i subjektit të PD-së, janë më të rregulltat të zhvilluara në Tropojë ndonjëherë.
Po zbatohet kushti themelor i standardeve, votimi i lirë dhe i qetë, vazhdon ai. Votuesit votuan të qetë dhe nuk ka pasur parregullsi, as incidente. Kurse Mujë Gosturani, kryetari i PS-së, dega Tropojë, sqaroi për "Shekulli"-n, se procesi i votimit ishte shumë i rregullt dhe me kulturë demokratike. Në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, procesi ka përfunduar në orën e caktuar. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 55 për qind.