E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presion të burgosurve: Votoni PD-në

Të burgosurit denoncojnë kërcënimin: Votoni PD-në sepse fleta juaj ruhet me kamera dhe e dimë se ku do të shënoni


TIRANË- Zyrtarët e lartë dhe punonjësit e institucioneve të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit në të gjithë vendin, iu kanë bërë presion të burgosurve për të votuar Partinë Demokratike.


Burime të rezervuara nga bugjet pohuan për "Shekullin" presionin që është ushtruar mbi të burgosurit ndërsa vetë personat që ndodhen brenda qelive kanë telefonuar disa herë në redaksi duke denoncuar rastet e presioneve. Zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka mohuar këtë gjë.


Të arrestuarit që kanë telefonuar në redaksinë e gazetës ndodhen në paraburgimet dhe institucionet e vuajtjes së dënimit në afërsi të kryeqytetit, si në paraburgimin "Jordan Misja", "Mine Peza", burgun e Vaqarrit e "Ali Demit".


Ata thonë që janë "detyruar" që të votojnë Partinë Demokratike. Sipas burimeve të "Shekullit" dhe telefonatave të ardhura në redaksi, mësohet se zyrtarët e burgjeve kishin thuajse të njëjtën mënyrë presioni që i drejtoheshin të burgosurve, duke lënë shkak për të dyshuar se gjithçka ka qenë e organizuar.


"Votoni Partinë Demokratike sepse do t'ju favorizojmë gjatë kohës që jeni këtu, si me leje, takime, telefonata, ushqime jashtë normës, etj etj. Nuk mund të gënjeni pasi ka kamera të sigurisë të cilat vëzhgojnë çdo fletë votimi në momentin që ju e firmosni",-mësohet se iu thoshnin të paraburgosurve e të dënuarve zyrtarët e burgjeve.


Por, ky pretendim, nga zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve hidhet poshtë, duke shtuar se "të gjithë të burgosurit kanë ushtruar të drejtën e tyre për votim, pa u ndikuar nga asnjë zyrtar apo punonjës i burgut për të adresuar votën tek partitë të caktuara. Kjo vërteton edhe faktin se disa të dënuar apo paraburgosur nuk kanë preferuar të dalin të votojnë, preferencë kjo që është respektuar nga të gjithë punonjësit e burgjeve",- thuhen zyrtarët e Burgjeve.


Sipas tyre mësohet se nga 4869 të paraburgosur e të dënuar që ndodhen në institucionet në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë votuar 4333 të prej tyre ose 89 % e të burgosurve. Ndërsa, në të gjithë institucionet e burgjeve kanë refuzuar të votojnë 536 të paraburgosur e të dënuar.


Gjithashtu, shqetësim i djeshëm nëpër disa qendra të paraburgimit ka qenë mungesa e fletëve të votimit, mungesë kjo që është bërë për shkak për mos votimin e tyre, pasi në disa institucione të paraburgimit ka pasur të izoluar të rinj, të cilët janë vendosur pas përfundimit të afatit të regjistrimit të të burgosurve nëpër burgje.


"Nuk ka pasur problem për tu theksuar në asnjë institucion. I vetmi shqetësim që ka pasur në disa institucione të paraburgimit kanë qenë 28 persona të cilët nuk kanë votuar për shkak se janë të shoqëruar të rinj nëpër qendrat e paraburgimit dhe nuk figuronin në listat e votuesve",- thuhet nga zyrtarët e burgjeve.


Ndërkohë, në nivel kombëtar që nga dita e përfundimit të regjistrimeve në burgje, janë liruar me vendim gjykate 42 persona nga të cilat kanë preferuar të kthehen në burgje për të votuar vetëm 17 persona.


Nga 4869 të burgosur, vetëm 4333 kanë votuar, ndërsa kanë refuzuar 536 të burgosur
Peqin, nga 754 të dënuar e paraburgosur 689 prej tyre kanë votuar, ndërsa 65 nuk kanë votuar
Korçë nga 284 të dënuar e paraburgosur 261 prej tyre kanë votuar, ndërsa 23 nuk kanë votuar
Lezhë nga 649 të dënuar e paraburgosur 590 prej tyre kanë votuar, ndërsa 59 nuk kanë votuar
Burrel nga 194 të dënuar e paraburgosur 187 kanë votuar, ndërsa 7 veta nuk kanë votuar
"Jordan Misja" nga 334 kanë votuar 318 veta, mes tyre 36 femrat, ndërsa 16 nuk kanë votuar
"Mine Peza" nga 208 të paraburgosur 193 prej tyre kanë votuar, ndërsa 15 nuk kanë votuar



Njerëz që s'kanë pasur emrin në lista janë paraqitur në gjykatë për të fituar por janë refuzuar sepse ka skaduar afati


Gjykata "mbyll" dyert, 200 kërkues pa votuar

TIRANË- Edhe pse zyrtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, kishin lajmëruar se mesnata e së premtes është dita e fundit kur togat e zeza të pranojnë kërkesat për leje votimi, rreth 200 persona gjatë ditës së djeshme kanë trokitur dyerve të kësaj gjykate për të fituar të drejtën e votës.


Por të gjithë personat që kanë shkuar në gjykatë janë kthyer nga kryesekretari me argumentimin se "ka kaluar koha dhe afati i caktuar për pranimin e kërkesave për leje votimi që ditën e premte".


Të parët që janë paraqitur në gjykatë ishin tre banorë të lagjes Bathore, të cilët me një tufë letrash në duar kërkuan që gjykata t'i lejojë të votonin në zonën ku nuk i figuronin emrat në listat përfundimtare.


Por, ata dhe rreth 200 persona të tjerë, që kanë vazhduar të vijnë në Gjykatë, janë kthyer mbrapsht pasi kishte mbaruar afati i pranimit të kërkesave për leje votimi dhe gjyqtarët po shqyrtonin vetëm ato kërkesa që kishin mbetur të pashqyrtuara.


Thuajse të gjitha këta persona të kthyer nga kryesekretaria e gjykatës kanë shprehur irritim për këtë vendim. Ata kanë akuzuar partitë politike si shkaktarë të bllokimit të punës së gjykatës.


Ndërkohë, zyrtarët e gjykatës hodhën poshtë këto pretendime, duke arsyetuar se "ligji parashikon që deri të premten në mesnatë të pranohen kërkesat, gjatë ditës së shtunë dhe të diel deri në 12:00 të drekës gjykata shprehet për këto kërkesa".


Ndërkaq, kjo gjykatë që nga data 12 qershor deri mesditën e djeshme ka shqyrtuar dhe dhënë drejtim 415 kërkesave të qytetarëve që nuk u ka dalë emri në listat përfundimtar.


Si asnjëherë tjetër, këtë vit problem shqetësues kanë qenë edhe emrat e të paraburgosurve dhe të dënuarave, të cilët edhe pse janë regjistruar nëpër institucionet ku vuajnë dënimin, emrat e tyre nuk figuronin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›