Elbasan, mungesa familjare në listat e zgjedhësve
Rreth 50 persona janë paraqitur vetëm gjatë të dielës në gjykatë, por kanë marrë përgjigje negative
ELBASAN - Procesi zgjedhor në Elbasan ka startuar në orën 07:00 të mëngjesit ku janë hapur rreth 549 qendra votimi, përjashtuar dy në rrethin e Gramshit ku materialet kanë mbërritur me vonesë. Në të gjitha këto qendra janë thirrur 299 663 votues për të gjithë qarkun e Elbasanit.
Nga informacionet e orës së parë, procesi ka filluar normalisht me përjashtim të disa qendrave ku ka qenë problemi i mungesës së bojës së vulës. Kjo ka bërë që votimi të pezullohet në disa qendra derisa komisionerët kanë zëvendësuar bojën e vulës.
Anëtarët e KZAZ-it kanë bërë edhe një monitorim të qendrave të votimit ku pasi kanë konstatuar mjete të tjera si stilolapsa apo aparatura të tjera kanë kërkuar largimin e tyre dhe vazhdimin normal të procesit. Jani Ranxha, nënkryetar i KZAZ-it, për bashkinë Elbasan tha se gjatë këtij monitorimi janë identifikuar edhe raste ku ka pasur mospërputhje mes komisionerëve.
Listat
Ndërkohë, problemi më i madh ka lindur me listat e zgjedhësve të cilat në versionin përfundimtar kanë rezultuar me mungesa. Shumë qytetarë i janë drejtuar KZAZ-it të bashkisë për të kërkuar emrin në lista për shkak të mungesave të theksuara.
Ibrahim Kumria, me banim në lagjen "11 Nëntori" thotë se familjarisht ai nuk e gjen emrin në listë, kur ka votuar prej shumë vitesh. Ai thotë se i është hequr e drejta e votës për arsye politike. Por raste të tilla janë të shumta aq sa ky problem ka marrë vëmendjen kryesore në Elbasan.
Kështu Kristaq Topuzi familjarisht nuk e gjen emrin. Gjithashtu Koço Gjica dhe Bardhyl Isufi nuk e gjejnë emrin në listën e votimit dhe kanë kërkuar zgjidhje nga KZAZ-i. Këta të fundit iu kanë dhënë vërtetime për t'u paraqitur në gjykatë pa ditur se procesi ishte mbyllur 24 orë më parë. Kështu shumë qytetarë kanë mbetur pa votuar, kryesisht në Bashkinë Elbasan.
Ndërkohë në lagjen Partizani është konstatuar mungesa e një lagjeje të tërë votuesish, por sipas komisionerëve këta të fundit janë dërguar në një qendër tjetër në kopshtin "Ali Arapi" në anën tjetër të qytetit, ndërsa vetë banorët ende nuk e dinin.
Problemet me listat kanë qenë edhe shqetësimi më i madh. Rreth 50 persona janë paraqitur vetëm gjatë të dielës në gjykatë, por kanë marrë përgjigje negative.
09:00
Burime nga gjykata bënë të ditur se ka pasur rreth 200 kërkesa nga qytetarë që nuk e kishin emrin në lista për të cilët është marrë vendim. Afati për dorëzimin e kërkesave ka mbaruar të premten në orën 00:00, ndërsa orari përfundimtar për vendimet e gjykatës ka qenë ora 13:00 e ditës së zgjedhjeve.
Një numër të madh vendimesh e ka marrë burgu i Peqinit dhe i Kosovës, rreth 50 të tilla. Mësohet se vetëm në burgun e Peqinit kanë pasur mundësinë të votojnë 754 votues nga 756, veç një turku dhe një kosovari.
11:00
Përplasen kandidatët dhe drejtorët tek shkolla "Ali Myftiu", shkak është bërë një aparaturë e llojit llampë që shërbente për të verifikuar origjinalitetin e kartave të identitetit.
Kandidatja e Partisë Socialiste, Shega Ligori, thotë se është anormale prania e drejtorëve të institucioneve në një qendër votimi. "PD, - tha ajo po bën presione nga më të ndryshmet për të diktuar votat". Lidhur me aparaturën për të cilën ka nisur sherri, Ligori tha se nuk ka asnjë udhëzim që i përjashtonte.
12:00
Rreth orës 12:00 është pezulluar procesi i votimit në Pajovë të Peqinit. Mësohet se shkak për këtë janë bërë disa fletë-thirrje dhe drejtimi i votës nga vëzhguesit dhe nga komisionerë të PD-së, të cilët madje i diktojnë votuesve duke i shoqëruar deri në dhomën e fshehtë.
Të paktën këtë gjë ka deklaruar nënkryetarja e Komisionit, e cila duke qenë e PS-së ka marrë vulën dhe është larguar për shkak të kësaj situate të krijuar. Ikja e saj ka ndërprerë edhe votimin në këtë qendër.
Pasi është ndërprerë për 2 orë, KZAZ-i ka marrë vendim për zëvendësimin e nënkryetarit të komisionit, ndërkohë që vula është rikthyer.
Partia Socialiste në këtë komunë thotë se janë kapur rreth 50 fletëthirrje të cilat iu futen në pasaporta zgjedhësve. Ata kërkuan të merreshin masa në këtë drejtim, në të kundërt do të pengonin procesin.
22:30
6 kuti votimi mbetën të bllokuara në komunën Zavalinë të rrethit të Elbasanit. Komisionerët lajmëruan KQZ se për shkak të kohës së keqe nuk mund t'i trasportonin këto kuti.
Ata kërkuan mbërritjen e helikopterit për t'i transportuar. Por zgjidhja u gjet duke nisur dy mjete: një nëpërmjet Elbasanit dhe një nëpërmjet Gramshit për t'i çuar në KZAZ 6 kutitë e mbetura në Zavalinë. Gjithsesi, ende mbetën 6 kuti të pa administruara, të cilat plotësojnë numrin e kutive të votimit.