E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, riparohen defektet në linjat elektrike, energji pa ndërprerje në zona

/>Riparohen defektet e shkaktuara nga erërat e forta dhe bora e ditëve të fundit në linjat e energjisë elektrike të Qarkut të Kukësit. Kjo ka sjellë normalizimin e furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike, ndonëse në disa zona trashësia e dëborës vazhdon të jetë rreth një metër. Drejtori rajonal i KESH-it, Ajdin Elezi, ka pohuar se pas riparimit të të gjitha defekteve të shkaktuara si rrjedhojë e erërave të forta dhe reshjeve të dëborës, në gjithë qarkun e Kukësit furnizimi me energji elektrike është i pandërprerë. "Vetëm 8 konsumatorë në zonën e Arrnit, kanë problem me furnizimin me energji, por ata janë të lidhur me rrethin e Dibrës", theksoi Elezi. Dëmtimet e rrjetit elektrik të tensionit të mesëm e të ulët ditët e fundit në Qarkun e Kukësit ishin të shumta dhe lanë pa energji elektrike fshatra të tëra, si ato të komunës së Arrnit në rrethin e Kukësit, të Fajzave në rrethin e Hasit dhe fshatra të veçantë të këtij qarku, ku bën pjesë dhe rrethi i Tropojës. Ndërkohë, është rritur ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike, dhe sipas specialistëve, kjo krijon sërish rrezik që të dëmtohet rrjeti shpërndarës. Vetëm rrethi i Kukësit shpenzon mesatarisht në 24 orë 350-370 mijë kë energji elektrike, ose dy herë më shumë se disa ditë më parë. "Konsumi i energjisë elektrike është dyfishuar edhe në dy rrethet e tjera të qarkut dhe rreziku i dëmtimit të rrjetit është i madh, pasi ky rrjet është i amortizuar", - ka vërejtur Elezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›