Vlorë, peshkatarët mbërthejnë një peshkaqen 350 kg
/>Një peshkaqen me peshë rreth 350 kg dhe 3.5 m ka rënë në rrjetën e një peshkarexhe vlonjate duke rikthyer edhe mishin e tij nëpër restorante. Ka qenë peshkarexha Melisa me pronar peshkatarin Zija Bejto, që ka dalë dje në mëngjes si zakonisht për peshkim nga Triporti ku edhe rrinë të ankoruara peshkarexhat.
Siç tregojnë dy peshkatarët që kanë qenë në atë moment në peshkarexhë, ata kanë hedhur si zakonisht rrjetën dhe kanë qenë në pritje të ngritjes së saj, por papritur kanë parë se rrjeta është rënduar më shumë se zakonisht. Na vajti mendja tek peshkaqeni sepse ishte e pamundur të kapnim aq kilogramë peshk për një kohë aq të shkurtër. Menjëherë tentuam të ngremë rrjetën, por patëm shumë vështirësi. Më në fund kemi mundur ta ngremë rrjetën dhe kemi parë se në të ka qenë edhe një peshkaqen, i cili është rreth 350 kg dhe 3.5 m i gjatë, tregon njëri nga peshkatarët. Peshkaqeni është kapur në thellësinë 150 metra. Sapo kanë kapur peshkaqenin në afërsi të ishullit të Sazanit, peshkatarët janë rikthyer pak pas mesditës në Triport nën kuriozitetin e kolegëve të tyre. Nëse më parë mishi i tij konsumohej vetëm në qytetin fqinj të Fierit, tashmë kanë filluar ta preferojnë atë edhe restorante të ndryshme në qytetin bregdetar të Vlorës. Kështu mendojnë se do bëjnë edhe me këtë peshkaqen pronarët e peshkarexhës, që megjithatë shprehen se do të kishin dëshirë të kapnin më mirë 350 kg peshk.