E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag epidemie nga virozat, tejmbushet pediatria në Durrës

/>Viroza e stinës ka shkaktuar një lloj paniku tek prindërit e fëmijëve, të cilët janë ata që preken më shumë nga kjo sëmundje. Situata ka qenë si në prag epidemie në spitalin e Durrësit e pikërisht në repartin e pediatrisë, e cila është e tejmbushur nga fëmijët, numri i të cilëve shkon çdo ditë në 70 në këtë repart. Pediatria ka vetëm 70 shtretër dhe tejmbushja ka detyruar mjekët të vendosin në një shtrat dy fëmijë për të marrë mjekimet dhe serumet. Shefi i repartit të pediatrisë, Dhimitraq Gjergo ka deklaruar se në urgjencën e spitalit paraqiten deri në 70 fëmijë në 24 orë dhe kjo ka detyruar përforcimin e gatishmërisë si dhe shtimin e personelit tek salla e pritjes së urgjencave si dhe në sallën e reanimacionit. Mjekët shprehen se kemi të bëjmë me virozën e stinës së shkaktuar nga ulja e ndjeshme e temperaturave, të cilat në Durrës kanë shënuar nën 0 gradë. Komplikacionet tek shëndeti i të vegjëlve është dukur kryesisht në vështirësi frymëmarrjeje, rritje e temperaturës së trupit, kollë e thatë, acarim të rrugëve të frymëmarrjes dhe ftohje të laringiteve. Bronkiolitet kanë shtuar fluksin e fëmijëve në pediatri dhe nga dita në ditë numri i të prekurve nga viroza e stinës është rritur. Kryesisht kanë shfaqur imunitet të dobët përballë rënies së temperaturave fëmijët 0-1 vjeç, por jo më pak të rriskuar kanë qenë edhe më të rriturit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në pediatri. Hapja e urgjencave në çdo qendër shëndetësore ka ndikuar pozitivisht në vënien nën kontroll të situatës, pasi pacientëve u është afruar ndihma e parë në lagje dhe që andej me rekomandim të mjekut të familjes janë trajtuar në pediatri. Drejtoria e shërbimit parësor ka vërejtur se në Qarkun e Durrësit janë ngritur repartet e urgjencave për të përballur fluksin në rritje të pacientëve që paraqesin probleme të ndryshme shëndetësore pas virozës së shfaqur. Drejtoria e Shëndetit Publik deklaron se në raste të tilla urgjencat funksionojnë deri në 12 të natës dhe se të tilla urgjenca janë funksionale sa herë që paraqiten probleme të tilla stinore. Që nga fillimi i janarit dhe deri në ditën e gjashtë të muajit në pediatri janë trajtuar mbi 300 urgjenca dhe një pjesë e tyre janë mbajtur nën trajtim spitalor për dy ditë për të marrë më pas mjekimin dhe këshillat e mjekut specialist. Për të shmangur zgjatjen e situatës virusale është ushtruar kontroll në ujin e pijshëm lidhur me pastërtinë. Viroza është shëtitëse, pasi të tjera ngarkesa mikrobiologjike ka në një qytet, e të tjera në një tjetër, kanë thënë mjekët pediatër, por shqetësimi tek prindërit rritet duke pasur parasysh higjienën e ujit të pijshëm si edhe stinën e temperaturat e ulëta të ditëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›