E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtabi i emergjencave, 13 tonë ushqime për komunat e bllokuara

/>Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka shpërndarë dje 6.5 ton ndihma ushqimore në 6 komuna në veri të vendit, të cilat janë ende të bllokuara nga dëbora e rënë gjatë ditëve të fundit. Ndërkaq, mësohet se vijon puna për hapjen e rrugëve rurale të bllokuara. Gjithçka është bërë e ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, sipas të cilit "shpërndarja e këtyre ndihmave, e cila do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në normalizimin e plotë të situatës, është kryer nga tre helikopterë të Ministrisë së Brendshme dhe 2 helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht në komunat Arrën, Kalis, Zapod dhe Gryka e Çajës të Qarkut të Kukësit, në Sllovë e Kala të Dodës në Qarkun e Dibrës, si dhe në Lekbibaj të Tropojës, ndërkohë që janë dërguar për ndihmë mjekësore drejt Tiranës dy banorë të Kukësit. Furnizimi me ndihma ushqimore dhe veshmbathje për banorët e komunave të bllokuara në veri të vendit ka filluar 3 ditë më parë. Gjatë ditës së martë, mësohet se me 8 helikopterë të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes u shpërndanë 6.4 ton ndihma ushqimore në disa zona të tjera të veriut të vendit të bllokuara nga reshjet e dëborës. Ndërkohë, mësohet se lëvizja e automjeteve në akset kryesore rrugore të rrethit të Kukësit është normalizuar dhe tashmë në gjithë rrethin kanë mbetur ende të izoluara tri komunat; Arrni, Zapodi dhe Kalisi. Përgjegjësi i zyrës së emergjencave civile në Prefekturën e Kukësit, Azem Tema, ka pohuar për mediat se dy banorë të zonave të thella të Arrnit kanë pasur probleme shëndetësore dhe janë transportuar për në Tiranë me helikopter. Ndërkohë, ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale vazhdon punën e zhbllokimit me dy mjete të marra me qira nga të tretët. "Kjo ndërmarrje nuk ka mjetet e veta dhe për këtë arsye, në 118 kilometra rrugë për të cilat duhet të kujdeset, punon me mjete të të tretëve", pohoi përgjegjësi i zyrës së shërbimeve në Qarkun e Kukësit, Albert Zeneli, duk sqaruar se deri tani është normalizuar situata në mbi 70 kilometra rrugë rurale. Edhe në rrethin e Tropojës tashmë janë të hapura të gjitha rrugët nacionale si dhe pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin komunat me qytetin e Bajram Currit, apo fshatrat me qendrat e komunave. Nënprefekti i Tropojës, Syl Smajlaj, ka bërë të ditur se tashmë vëmendja është përqendruar në rihapjen e rrugëve që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin. Rrethi i Tropojës ka 107 kilometra rrugë rurale, nga të cilat deri tani janë rihapur 73 kilometra, ndërsa puna vazhdon me dy mjete të marra me qira nga të tretët. Situata e krijuar si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës po shkon drejt normalizimit edhe në Qarkun e Shkodrës, ku mësohet se në përgjithësi të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe pa probleme, ndërkohë që të bllokuara mbeten vetëm rrugët rurale Bogë-Thethë dhe Prekal- Mali i Shoshit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›