E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, punëtorët e krahut në shesh: Myzeqeja, parajsë e gënjeshtërt

/>Një numër i madh të papunësh janë të detyruar që pas pak ditëve pushim, të rikthehen sërish në sheshin "Omonia" në lagjen "1 Maj" të qytetit të Fierit. Ata presin me orë të tëra për të gjetur një punë, e cila do t'u siguronte të ardhura për familjen. Shumë prej të papunëve vijnë në këtë shesh për të siguruar bukën e gojës dhe janë nga zonat rurale të rrethit të Fierit. Ata zaptojnë qysh në orët e para të mëngjesit trotuarin e rrugën dhe presin me shpresë që dikush ti marrë për të shitur krahun e tyre të punës lirë. Disa prej tyre vijnë qysh prej shumë vitesh në këtë shesh dhe mbajnë familjet vetëm nga punët e rastësishme që gjejnë. "Kam më shumë se 5 vjet që vij që nga Armeni për të punuar si hamall. Në të shumtën e ditëve nuk gjej asgjë për të bërë dhe kthehem në shtëpi pa kokërr leku. Kam tre fëmijë, gruan dhe dy pleq për të ushqyer. Jetojmë vetëm me të ardhurat që siguroj ato pak herë që punoj, dhe shpesh hamë vetëm bukë thatë. Nuk flasim për punë të përditshme, edhe sikur një herë në tre ditë, por tani nuk ke as çfarë të bësh", tregon njëri prej tyre. Ndër të tjera, të papunët shprehen se mund të gjejnë punë tepër rrallë dhe të ardhurat që sigurojnë janë të pakta. Janë të shpeshta rastet kur ata mbeten të papune dhe pa asnjë lek ne xhep edhe për javë të tera. Në këto kushte këta njerëz shprehen se e kanë të vështirë të kthehen pranë familjes, pasi nuk kanë se çfarë t'u shpien fëmijëve. "Kam fjetur edhe rrugëve vetëm që të mos kthehesha në shtëpi duarbosh. Jetojmë në kushte mizerabël dhe varim shpresat tek kalimtarët që kërkojnë hamall dhe pastrues oborresh", tregon një tjetër i papunë. Por në të shumtën e rasteve të papunët që frekuentojnë "Omonian Fierake", nuk janë nga ky qytetor, por ata vijnë nga Mallakastra, Berati apo Skrapari. Një pjesë e madhe e këtyre të papunëve janë persona që janë transferuar nga Tropoja e vendet malore, për në fshatrat e Fierit. Ata tregojnë se me vete nuk kanë marrë asgjë dhe se u ishte thënë se në Myzeqe mund të gjeje punë më shumë se ku jetonin më parë, por realiteti ka treguar të kundërtën. Në këtë shesh për më shumë se 17 vjetësh, numri i të papunëve është gjithnjë në rritje. Nevoja për të jetuar i detyron ata të kërkojnë punë çdo ditë, në verë apo dimër, pavarësisht kushteve të këqija atmosferike me të cilat përballen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›