E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, shembje në minierën e Kalimashit, vdesin dy persona

KUKËS- Shembet një pjesë e minierës së Kalimashit në Kukës dhe zë brenda dy persona, të cilët kishin shkuar në minierë për të nxjerrë krom. Plagoset një person i tretë që ishte me ta.

Banorë të zonës kanë konfirmuar të parët lajmin për News 24, i përforëcuar ky edhe nga Kreu i Konfederatës së miniatorëve Kol Nikollaj, i cili shtoi se shembja ndodhi në një minierë të braktisur.

Ndërkohë që policia e mbërritur në vendngjarje ka konfirmuar se brenda minierës kanë gjetur vdekjen shtetasit Xhezair Sulmata 33-vjec, dhe Besim Halili 55-vjec.

Korrespondentja e Kukësit Matilda Dokle deklaron se viktimat ishin duke punuar privatisht për nxjerrjen e kromit, por shembja e një masivi gurësh e dherash i ka zënë ata brenda, duke u marrë edhe jetën. Po sipas saj, trupat nuk janë nxjerrë ende nga miniera dhe do të duhen disa orë që kjo gjë të ndodh, pasi terreni është i vështirë, ndërsa shembja e konsiderueshme.

Për të plagosurin, emri i të cilit është Albert Sulmata 23 vjec mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa ka humbur njërën këmbë në minierë. Ky i fundit është kushëri me viktimën Xhezair Sulmata.

Nuk është rasti i parë që njerëzit humbin jetën teksa nxjerrin krom në këtë minierë të braktisur.

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›