Qeveria: Janë 50 mijë ha tokë që nuk punohen
Bledar Hoti
Ministria e Bujqësisë disponon si shifër zyrtare 50 mijë hektarë tokë bujqësore të mbetura djerrë, të cilat nuk punohen nga fermerët. Shifra jepet zyrtarisht nga ana e zëdhënësit të kësaj ministrie, Rexhep Shahu, në të cilën bëhet e ditur se kjo është aktualisht pjesa e tokës e punueshme, që lihet pa punuar nga njerëzit që e kanë në pronësi, të dhënë mbi bazën e ligjit 7501 “Për tokën”. “Janë konstatuar 50 mijë hektarë tokë bujqësore që nuk punohet gjithsej në 50 mijë ha. Kryesisht pjesa më e madhe e tokës së papunuar është në zonën e Kurbinit dhe të Dropullit. Vetëm në të dy krahinat janë 35 mijë ha tokë që nuk punohet”, deklaroi Shahu për “Panorama”. Pjesa tjetër sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë është në zonën e ultësirës Perëndimore. Arsyet e mospunimit të tokës bujqësore mësohet se lidhen me emigrimin e banorëve të këtyre zonave, të cilët nuk ndodhen në Shqipëri dhe se nuk ka se kush t’i punojë ato. Kjo sipërfaqe e madhe që lihet pa punuar u bë objekt i mbledhjes së dy ditëve me parë të Qeverisë, ku Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur miratimin e një ligji për mos lënien pa punuar e këtyre tokave të frutshme për prodhim. Dikasteri ministror është ngarkuar nga ana e Kryeministrit për të hartuar ligjin e ri që do tua marrë tokat atyre pronarëve që nuk e punojnë atë për t’ia dhënë komunës. Ky institucion më pas do të shikojë ofertat që do të vijnë mbi bazën e projekteve që do të ofrohen. “Ekspertët tanë do të punojnë për hartimin e draftit mbi të cilat do të parashikohet dhënia në përdorim e tokës mbi bazën e dhënies në përdorim, ku pronari i tokës do të përfitojë një të dhjetën e prodhimit”, tha Shahu. Burime pranë Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se drafti i ri mund të hartohet brenda fundit të muajit gusht. Ndërsa mësohet se në të njëjtën kohë, ky dikaster do të punojë është me draftin tjetër për shitblerjen e tokës nga ana e atyre shtetasve që kanë origjinë shqiptare, por që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Në mbledhjen e qeverisë së dy ditëve më parë, Kryeministri Berisha tha se “duhet që ligji të përgatitet me kujdesin më të madh, në mënyrë që çdo shtetas që ka nënën ose babanë shqiptar, që ka origjinë shqiptare, do t’u kërkoja që të mos ndiqnim vetëm linjën nga babai, por të pranojmë edhe atë të nënës, të kenë të drejtë të blejnë tokë në Shqipëri. Kjo prerogativë, brenda një kohe jo të largët, është e detyrueshme për t’u shtrirë për të gjithë shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.
Berisha: Toka e papunuar dëm i madh për shtetin
Kryeministri Sali Berisha bëri prezent në mbledhjen e pardjeshme të qeverisë iniciativën më të re për penalizuar ato bujq që nuk e punojnë tokën që e kanë në pronësi të tyre. Kryeministri tha se “qeveria do të adaptojë një qëndrim të ri ndaj tokës së papunuar. Ministria e Bujqësisë do të përgatisë projektligjin që vendos kalimin e tokës së papunuar në fondin e komunës dhe dhënien e saj me të dhjetë”. “Toka e papunuar është një dëm i rëndë i interesit publik për vendin. Shqipëria është një vend me pak tokë, është një vend malor dhe zonat malore që përbëjnë dhe 2/3 e territorit të saj kanë probleme shumë të mëdha. Ndërkohë ka zona të tjera, ku gjeni të mbjellë çdo metër katror. Unë nuk them se do t’i marrim tokën atij që ia kemi dhënë me ligj e do t’ia japin dikujt tjetër, por kjo tokë do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë e detyruar ta japë me të dhjetë”, tha Berisha.