PS: Konfiskimi i tokës shkakton konflikt social
Partia Socialiste shprehet kundër nismës së Kryeministrit Berisha të një dite më parë për hartimin e një ligji, që sanksionon marrjen e tokës bujqësore nga komuna nëse ajo nuk punohet. Deputeti i selisë rozë, Eduard Shalsi tha dje në një konferencë për shtyp se iniciativa e fundit e Qeverisë rrezikon të shkaktojë një konflikt social në vend, teksa shtoi se ajo bie ndesh me parimet kushtetuese. “Sali Berisha ka dështuar të kuptojë se nuk janë mekanizmat administrative të konfiskimit të tokës ato që do të zgjidhin problemin. Madje, prekja e pronës cenon rëndë parimet kushtetuese dhe do të shkaktojë një konflikt social me përmasa të mëdha. Që do të thotë se Sali Berisha jo vetëm që nuk ka asnjë përgjigje për problemet me të cilat përballen fshatarët dhe bujqësia, por tashmë kërkon të administrojë të tjera troje për t’i konvertuar në nismat e tij 1 euro-she”, u shpreh deputeti i PS-së. Sipas tij, Kryeministri Berisha nuk e ka kuptuar ende përse bujqit nuk e punojnë tokën në fshat. Kjo sipas tij ndodh nga pamundësia ekonomike për ta punuar atë. “Është për të ardhur keq, që edhe pas 18 vjetësh Sali Berisha nuk e ka kuptuar ende se pse nuk punohet toka në Shqipëri, duke dëshmuar qartazi se nuk ka se si të zgjidhë problemet e bujqësisë dhe të popullsisë që jeton në fshat, një njeri, i cili është me kilometra larg të kuptuarit të tyre, dhe që tashmë, në fakt, ai është shndërruar në problemin e tyre. Sali Berisha nuk e ka kuptuar ende se, toka nuk punohet jo nga mosdashja por nga pamundësia për ta punuar”, vijoi më tej Shalsi. Ai tha se kosto e lartë që ka prodhimi bujqësor si dhe çmimet e larta të karburantit dhe moskreditimi kanë bërë që toka në fshat të mos punohet. “Ai nuk e di se ky sektor jetik as nuk kreditohet dhe as nuk rimbursohet dhe se paratë e emigrantëve, që janë financuesit e bujqësisë janë rralluar për shkak të krizës”, theksoi më tej Shalsi.