E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, gratë e Orikumit, letër Liri Berishës

PROTESTA/ Rreth 60 gra i kanë kërkuar gruas së Kryeministrit që të ndërhyjë për atë që po ndodh në bregdet


VLORË - Rreth 60 gra kanë protestuar mëngjesin e djeshëm në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në hyrje të qytezës së Orikumit duke bllokuar për disa minuta edhe aksin rrugor Vlorë - Sarandë. Gratë protestuese kanë zgjedhur që në këtë mënyrë në ditën e tyre të përmëndet dhe çështja që po vijojnë protesta që prej vitit të kaluar.


E pikërisht në këtë ditë këto gra i janë drejtuar jo Kryeministrit të vendit, por bashkëshortes së tij Liri Berisha. "Sot në ditën e 8 Marsit, ditën e të drejtave dhe lirisë së gruas nuk po i drejtohemi as z.Sali Berisha, as Znj. Jozefina Topalli, por një zonje të nderuar si Ju", thuhet në letrën drejtuar bashkëshortes së kreut të qeverisë.


Në të deklarohet se toka për të cilën ato protestojnë ka ngjyrën e bukës së shpresës për të jetuar, ka lotët, dhimbjet, plagët e varfërisë, thinjat e prindërve, mundin e sakrificën. Duke i përkujtuar mjekes se tokën e kanë marrë sipas ligjit, gratë e Orikumit kanë vijuar me pyetjen "Mos doni të flijohemi si gratë e Çikagos, që të na jepet e drejta?"


Ish-punonjëset e ndërmarrjes bujqësore kanë përshkuar me parulla në duar bulevardin e qytetit të Orikumit duke u ndalur në aksin Vlorë-Sarandë, të cilin e kanë bllokuar për disa çaste. Nga ana e policies, është kundërshtuar për mosbllokimin e rrugës dhe për këtë është kërkuar shoqërimi i njërës prej tyre, gjë që është penguar nga punonjëset e tjera.


Në parullat që mbanin në duar ndër të tjera gratë kishin shkruar "Gëzuar 8 Marsin, Znj.Liri", "Qeveritarë, mos e prekni tokën tonë", "Sali, mos e prek tokën tonë, ajo është e fëmijëve tanë, jo e fëmijëve të tu" etj. Sipas protestueseve, apeli iu drejtua bashkëshortes së kryeministrit, e cila duhet të shikojë dhe çështjen e tyre, pasi për shumë vjet gratë kanë punuar mbi këtë tokë, duke e kthyer në një tokë të shfrytëzueshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›