Kukës, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 17-vjeçares
E reja, dyshohet që të jetë mbytur në ujërat e Drinit të Zi, ndërkohë që kërkimet nga policia janë përqëndruar përgjatë brigjeve të këtij lumi tejet të rrëmbyeshëm si dhe në grykderdhjen e tij në liqenin e Fierzës. "Kërkimet janë shtrirë në një zonë të gjerë dhe po kryhen edhe me skafin e policisë që monitoron ujërat e liqenit të Fierzës", tha drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Ali Elezi. 17 vjeçarja nga Malqena u zhduk 4 ditë më parë nga shtëpia dhe për herë të fundit është parë nga banorë të fshatit duke ecur në urën që lidh dy brigjet e Drinit të Zi. Familjarët e adoleshentes denoncuan në polici zhdukjen e saj, ç'ka bëri që të nisin kërkimet dhe hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Pista kryesore është ajo e vetëmbytjes si pasojë e depresionit, pasi në breg është gjetur xhaketa e saj, por nuk pëjashtohet dhe ajo e rrëmbimit.