E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, vdes 109-vjeçarja Mereme Gjoka



KUKES - është ndarë nga jeta njeriu më jetëgjatë në rrethin e Kukësit dhe ndoshta dhe në mbarë vendin. Mereme Gjoka ka ndërruar jetë në këto ditë dimri, pasi ka jetuar afro 109 vjet, pa lënguar asnjëherë në shtrat. E moshuara është përcjellë nga pasardhësit e saj, të cilët kanë zbatuar amanetin e saj, për ta varrosur te varri i të shoqit, i vdekur 60 vjet më parë. Plaka shekullore ishte martuar në Ujmisht, por pas vdekjes së burrit, u shpërngul për të jetuar tek e bija, në fshatin Buzëmadhe të Kukësit. Shtëpia e saj në këtë fshat ishte kthyer në një vend pagëzimi, pasi nënat e reja, sapo lindnin foshnjat i çonin te Meremja, për t’i dhënë bekimin e për të pasur jetë të gjatë sa të sajën. Nga familjarët mësohet se deri ditët e fundit para se të jepte shpirt, e moshuara kishte kujtesë të fortë, bënte kafen e saj dhe përkundte në djep stërnipërit e saj. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›