E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi bën planet për stadiumin dhe merkaton

Nga Erion SALIU

Drejtuesit e ekipit kuksian pritet që shumë shpejt të zyrtarizojnë edhe lojtarët që do të qëndrojnë nga grupi i sezonit të shkuar, si dhe stafin teknik. Ata ndërkohë e kanë filluar në heshtje merkaton, pasi synojnë të afrojnë lojtarë cilësorë, të cilët kanë përvojë edhe në Superligë, por edhe në kampionatet e huaja.

Muajt e verës do të jenë shumë të ngjeshur për kuksianët, të cilët kanë shumë punë për të bërë. Nga burime pranë klubit kuksian mësohet se shumë shpejt do të nisë zbatimi i projektit për stadiumin e ri, që ka të bëjë me ngritjen e shkallëve ballore, të një tribune qëndrore rreth 100 metra të gjatë, por edhe shkallëve prapa njërës portë.

Sipas planit, brenda 10 ditësh pritet të fillojnë punimet, që mund të prekin edhe dhomat e zhveshjes, që duhet të jenë moderne dhe jo në godinën e sezoneve të kaluara. Për tribunën është mednuar që të jetë sa më e përshtatshme dhe për këtë janë llogaritur vendet për VIP-at dhe gazetarët.

Po ashtu, tribuna përballë dhe një prej anësoreve do të plotësohen edhe me karrige plastike. Pra, Kukësi i Superligës do të ketë tjetër formë jo vetëm në grupin e lojtarëve, por edhe në infratsrukturë, sepse kjo e fundit është shumë e rëndësishme dhe gjithashtu është një kusht i vënë nga FSHF-ja. Nëse nuk plotësohen kriteret, Kukësi rrezikon të mos i zhvillojë ndeshjet në fushën e vet.

Bashkia dhe presidenca, duke qenë se ky është sezoni i parë në Superligë, duan që Kukësi ti zhvillojë të gjitha ndeshjet në stadiumin Zeqir Ymeri. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë emër konkret sa i përket merkatos.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›