E Diel, 1 Nëntor 2026

Musabelliu: Gramozi mbetet në zemrën time

Nga Kristi Lilo

Shumë prej futbollistëve të Gramozit, pas rënies së tij në Kategorinë e Dytë, janë vënë në kërkim të ekipit të ri. Ata janë larguar të gjithë nga Ersek, duke mos lënë asgjë të hapur me ekipin e këtij qyteti. Disa prej tyre e kërkojnë fatin edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, siç është rasti i mesfushorit Eraldo Musabelliu, një nga ata që i qëndruan besnikë Gramozit gjatë gjithë sezonit të fundit. Ai pohon se do të luajë në Greqi, ku ka qenë edhe para se të vinte te Gramozi.

Ai i është përgjigjur pozitivisht ftesës së drejtuesve kolonjarë, duke dhënë kontributin e tij, pavarësisht se fundi ka qenë tepër i hidhur. Musabelliu pranon me keqardhje se është i detyruar të largohet nga Gramozi: Më vjen keq, që do të largohem, por jam i detyruar ta bëj këtë. Jam përpjekur që të jap gjithçka për Gramozin dhe, dita e humbjes me Naftëtarin, ishte më e vështira për mua.

Ndoshta fati nuk ishte me ne atë ditë. Gramozi do të mbetet në zemrën time, ashtu si dhe tifozët e tij, të cilët më kanë duartrokitur në çdo takim. Nuk e lashë ekipin në baltë dhe qëndrova deri në fund, por jam shumë i mërzitur që nuk mbijetuam. Një njeri i veçantë për mua mbetet trajneri Ilir Qirjako, i cili më dha një mbështetje të madhe, duke më inkurajuar gjithmonë, ashtu siç do të bënte vetëm babai im, ndaj dua ta falënderoj.

Dëshira ime është të luaj në kampionatin helen sezonin e ardhshëm. Mund të qëndroj përsëri te Gramozi, nëse do të plotësohen kushtet, ku kryesorja është që të ketë një tjetër organizim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›