E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi e Tropoja përfshihen nga reshje të dendura bore

“Reshjet e dëborës kanë nisur që në mesnatë, ndërsa për mbajtjen hapur të aksit kryesor rrugor Morin – Kukës – Qafë Shllak janë vënë në përdorim edhe 3 borëpastruese dhe një kamion për hedhjen e skorjes e kripës, pasi traseja e rrugës ka qenë e mbuluar me akull”, thanë burime nga drejtoria Rajonale e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Qarkun e Kukësit.

Vështirësi paraqet lëvizja e mjeteve edhe në akset e tjera rrugore për mbajtjen hapur të të cilave, janë riaktivizuar mjetet borëpastruese të ndërmarrjes rajonale të rrugëve. Kështu, në aksin Kukës -Krumë punon një borëpastruese, ndërsa mjete borëpastruese po punojnë në akset rrugore Kukës – Shishtavec dhe Kukës – Bushtricë.

Aktualisht, në këto zona trashësia e dëborës ka arritur në mbi 20 centimetra, por vazhdimi i saj me intensitet mund ta përkeqësojë situatën në orët e ardhshme. Situatë më e vështirë paraqitet në zonat rurale, ku veç komunave të Zapodit e Arrnit, që janë të bllokuara prej kohësh, janë bllokuar edhe komunat e Grykë Çajës e Kalisit. Edhe në Tropojë, situata paraqitet e njëjtë.

Në aksin rrugor qafë Morinë – Bajram Curri – Fierzë, që lidh Tropojën me Kosovën, po punojnë dy borëpastruese dhe lëvizja e mjeteve vazhdon të jetë normale, ndërsa një mjet bjellorus po punon në aksin rrugor Bajram Curri – Krumë, ku lëvizja e mjeteve është e detyrueshme të bëhet me zinxhirë. Reshjet e dëborës së sotme jo vetëm po mbajnë të bllokuar dy komunat e largëta të këtij rrethi, Lekbibaj dhe Margegaj, por edhe disa fshatra të tjerë të largët, pasi vetëm dëbora e rënë sot ka krijuar deri tani një trashësi prej mbi 20 centimetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›