Programi: Sarandë-Igumenicë, vrojtim satelitor për zjarret
Realitetit të bashkëpunimit disavjeçar, të vendosur mes Sarandës dhe Igumenicës fqinje për probleme të mbrojtjes civile, i janë hapur mundësi të reja nga platformat europiane, sikurse është programi “Interreg 4”. Në një takim të këtyre ditëve në Sarandë, iniciuar nga nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, me prefektin e Thesprotisë, Vasilis Jojakas, dhe një staf të ngushtë të tij, është vlerësuar si një eksperiencë e vlefshme ajo e mbështetjes së dhënë gjatë verës së kaluar për shuarjen e zjarreve që rrezikuan pyje e kullota. Në krahina kufitare me Igumenicën, si në Konispol, Mursi, Xarrë e Butrint, por edhe në Livadhja, u dërguan automjete zjarrfikëse, si dhe helikopterë me këtë destinacion. Si nga nënprefekti Mano edhe nga Jojakas, kjo u vlerësua si dëshmi e shtrirjes së bashkëpunimit në fushën e ruajtjes së mjedisit dhe pasurisë natyrore. Nga ana e prefektit të Thesprotisë u tha se programi “Interreg 4” krijon mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar nga sistemi satelitor i vrojtimit të hapësirave të rajonit ndërkufitar. “Në këtë mënyrë, u shpreh Jojaka: “Do të mundemi që jo thjesht të angazhohemi në luftimin e pasojës, pasi zjarret kanë rënë, por edhe do të parandalojmë efektin e dëmeve nga zjarrvënia”. Në takimin e organizuar pjesëmarrës nga institucione të ndryshme shtetërore nga të dyja anët e kufirit, përfshi edhe drejtues të komisariateve të policisë, kanë identifikuar si një tjetër fushë ku është i nevojshëm bashkëpunimi, kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe kalimit ilegal të kufirit. Ndërsa për qytetarë që nuk kanë lidhje me krimin, prefekti i krahinës kufitare me Sarandën ka shprehur angazhimin institucional për të lehtësuar lëvizjen e lirë të banorëve të nënprefekturës së Sarandës në Igumenicë, sidomos në periudhën e pikut të punëve të stinëve të verës. Më shumë mundësi janë ofruar edhe për probleme shëndetësore, në spitalin e Filatit dhe institucione të tilla në qytete të tjera të Prefekturës së Thesportisë.
#