Policia: 38-vjeçari i ekzekutuar, konflikte të shumta
Vrasja e 38-vjeçarit Festim çekiçi nga qyteti i Pogradecit mund të ketë ndodhur për shkak të konflikteve të shpeshta që viktima krijonte me bashkëqytetarët e tij. Kjo mbetet një nga pistat kryesore ku po përqendrohet policia, por nuk janë përjashtuar edhe motive të tjera. Policia, dy ditë pas kryerjes së krimit, ka deklaruar se viktima njihej si një person që krijonte konflikte të momentit në rastet kur konsumonte pije alkoolike dhe kjo mendohet se ka sjellë vrasjen e tij. Ndonëse nuk e ka bërë të qartë shkakun e ekzekutimit me armë zjarri të 38-vjeçarit pogradecar, policia deklaron se shkaku më i mundshëm që i ka marrë jetën ka qenë ai për hakmarrje banale të grindjeve dhe sherreve. “Viktima ka qenë problematik kur konsumonte pije alkoolike dhe janë regjistruar disa raste të grindjeve të tij nëpër lokale me bashkëqytetarë. Dyshohet se vrasja ka ndodhur pikërisht për këto konflikte që 38-vjeçari krijonte me persona të ndryshëm”, tha për “Shqip” një drejtues i Policisë rajonale të Korçës. Policia ende nuk e ka të qartë se cili nga këto konflikte të rëndomta ka çuar në vrasjen e 38-vjeçarit çekiçi. “Për shkak të grindjeve të shumta dhe sherreve që kishte viktima, ne duhet të hetojmë një numër të madh personash. Nuk dihet ende incidenti më i fundit dhe rrethanat ku ka qenë viktima, të cilat mund të jenë bërë shkak i vrasjes”, thanë të njëjtat burime të policisë. Nga hetimet e deritanishme, është mënjanuar pista e një vrasjeje, për shkak të borxheve në lekë që viktima mund të ketë pasur ndaj personave të tjerë në qytetin e Pogradecit. Policia nuk e mohon që viktima njihej gjithashtu për faktin se luante shpesh në lojëra fati, por kjo nuk e provon që 38-vjeçari të jetë ekzekutuar për çështje të borxheve. Sipas të dhënave, në veshjet e viktimës, pas vrasjes së tij, janë gjetur skedina të lotarive sportive. Ndërkaq, policia hedh poshtë zërat se 38-vjeçari punonte në një kazino në qytetin e tij dhe aty kishte pasur konflikt me klientë. Ditën e diel janë shoqëruar në Komisariatin e Pogradecit 20 persona të tjerë, të cilët janë marrë në pyetje për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes. Personat që janë marrë në pyetje janë nga rrethi farefisnor i viktimës dhe i të njohurve të tij, por ende nuk është arritur të ngushtohet rrethi i dyshuarve. 38-vjeçari Festim çekiçi, babai i dy fëmijëve, u ekzekutua me armë zjarri rreth orës 22.30 të së premtes, ndërsa kthehej për në banesën e tij, që ndodhet pranë komisariatit të qytetit.
#