E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukësi ka nisur një bashkëpunim me komunën e Prishtinës me interes të ndërsjelltë


Rritja e bashkëpunimit mes komunës së Prishtinës (Kosovë) e bashkisë së Kukësit ishte në fokusin e takimit të organizuar pasditen e djeshme në qytetin e Kukësit mes drejtuesve të të dy njësive të qeverisjes vendore. Kryetari i komunës së Prishtinës, Haki Mustafa, evokoi në këtë takim kontributin e jashtëzakonshëm të qytetarëve kuksianë në momentet më të vështira për popullin kosovar. "Urojmë të kemi një zhvillim të hovshëm të përbashkët, sepse jemi pranë njëri tjetrit, kemi interesa të përbashkëta", theksoi Mustafa. Në këtë drejtim ai përmendi si një faktor kryesor ndërtimin e autostradës, gjë që do të mundësojë një zhvillim shumë më të madh se deri tani. Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, e konsideroi si domosdoshmëri me interes të ndërsjelltë bashkëpunimin mes dy njësive të qeverisjes vendore. "Bashkëpunimi është i domosdoshëm jo vetëm me Prizrenin, që e kemi më afër, por edhe me Prishtinën", tha Halilaj. Ai vuri në dukje faktin se Kukësi tashmë ndodhet në mesin e rrugës që lidh dy kryeqytetet tona. Kryetari i komunës së Prishtinës me këtë rast i dhuroi bashkisë së Kukësit një hartë të Kosovës si dhe Hyjneshën e ulur në fron, si simbol të mirëqeverisjes. "Ne kemi simbol hyjneshën tonë, statuja antike e së cilës u gjet në rrethinat e Prishtinës",- shpjegoi kryetari i komunës së Prishtinës. Nga ana e tij kryebashkiaku Halilaj i dhuroi kreut të komunës së Prishtinës simbolin e bashkisë së Kukësit.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›