E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukësi në Europa League, Progni: Vendosëm zemrën në fushën e lojës

TIRANE - Kukësi “fshiu” mbrëmjen e djeshme rekordin 25- vjeçar të Flamurtarit, duke shkruar emrin në arenën e Kupave të Europës. Asnjë skuadër shqiptare, që nga i largëti vit 1962, kur ekipet tona do të merrnin pjesë për herë të parë në Kupat e Europës, nuk kishte mundur që të kalonte tri ture në një kompeticion europian.
Njëri nga protagonistët e këtij suksesi të madh, Gerhard Progni rrëfen për “BalkanWeb” emocionet përpara ndeshjes, pritshmëritë e ekipit për fazat e tjera të kompeticionit dhe festën e skuadrës e të tifozëve pas mbërritjes së lojtarëve në Tiranë.
Rezultati 2-0 në Tiranë ju jepte shpresë, a u nisët në Ukrainë me besimin se do t’ja dilnit për të vazhduar drejt “play-off”-it?
Patjetër që një rezultat i tillë ishte në favorin tonë dhe kishim shumë besim se do t’ja dilnim mban dhe siç e shikuat kjo gjë ndodhi. Punuam shumë dhe ja dolëm.
Cila ishte atmosfera brenda ekipit përpara ndeshjes?
Atmosfera ishte shumë e mirë dhe mjaft optimiste gjë që tregonte që ne ishim nisur për kualifikim edhe pse kundrejt një kundërshtari mjaft të fortë. Me punë dhe me besim në Zot ja dolëm, ne vendosëm zemrën në fushën e lojës.
Cilat ishin këshillat e fundit të trajnerit Cungu?
Thjesht luani me zemër dhe me shpirt se çdo gjë është e mundur dhe bëni histori sepse është ndeshja e jetës.
Ju keni shënuar për Kukësin me Flora Talin dhe më pas nuk keni arritur ta gjeni rrjetën, si do ta përkufizonit performancën tuaj gjatë ndeshjeve në këtë kompeticion evropian?
Mund të them që performanca ka qenë mjaft e kënaqshme. Eshtë e vërtetë që kam shënuar vetëm një gol këto 6 ndeshje por rëndësi ka qe jemi kualifikuar 3 turne se do mbahemi mend gjithë jetën për këtë rekord.
Tashmë Kukësi është kthyer në “kryefjalë” e futbollit shqiptar, kujt ja dedikoni suksesin tuaj?
Familjes time, çunave të ekipit, stafit, presidencës, tifozëve kuksian, dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Ju u kthyet në Shqipëri menjëherë pas ndeshjes në Ukrainë, si ishte atmosfera në Aeroportin e Rinasit?
Atmosfera ishte mjaft e bukur, nuk isha ndjerë ndonjëherë aq i emocionuar dhe jam shumë i lumtur kur shikoj ata njerëz që lumturohen për suksesin tonë.
Sot pritet të hidhet shorti për fazën e “play-off”-it të Ligës së Europës, ku mund te ndesheni me një nga këto katër skuadra FC Sheriff (MDA) ACF Fiorentina (ITA) AS Saint-Étienne (FRA) Trabzonspor Aª (TUR) FC Rubin Kazan (RUS) , mendoni se mund të kaloni në grupe nëse ju ndihmon fati në short ?
Të gjitha janë ekipe të forta, por kushdo që të na bjerë ne do futemi për të bërë lojën tonë dhe me shpresë te zoti mund t’ja dalim. Një gjë është e sigurt që ne nuk do dalim me shumë gola të pësuar dhe do dalim me kokën lart pavarësisht kualifikohemi apo jo.
Ç’mendim keni për ecurinë e skuadrës tjetër shqiptare, Skënderbeut?
Shpresoj që të arrijnë të kualifikohen se do ishte mjaft e bukur për futbollin shqiptar.
Flasim pak për jetën private të Gerhard Prognit, me kë festuat pasi mbërritët në Shqipëri, ka ndonjë vajzë që ju qëndron pranë?
(qesh) Nuk kemi festuar aspak se kemi qenë mjaft të lodhur nga ndeshja dhe rruga, por do ta festojmë sot në Dhërmi me shoqërinë.
Sa ju mbështet familja juaj?
Shumë, shumë. Pa mbështetjen e tyre nuk do isha ky që jam sot.
Si është jeta e një futbollisti? Me çfarë ju pëlqen ta kaloni kohën kur nuk duhet të stërviteni apo të luani futboll?
Nuk është se ke shumë gjëra të besh, por gjate verës plazh, kafe, pak jetë nate dhe me familjen kohën më të madhe.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘Kukësi’, Gianni De Biasi: Forca e ideve, jo rastësi Historike për futbollin, një Kukës ëndrrash. Kualifikohet në “play-off” të Europa League VIDEO: Kualifikohet Kukësi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›