E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyrja e gjyqeve, Nishani: Masa administrative avokatëve

Diskutime për vendosjen e masave për shtyrjen e gjyqeve të mëdha

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, paralajmëron masa administrative ndaj avokatëve që bëhen shkak për shtyrjen pambarimisht të proceseve gjyqësore të rëndësishme në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Nishani deklaroi se mungesa e avokatëve në një seancë gjyqësore pa arsye është e tolerueshme, ndërsa saktësoi se kjo është një çështje morali e profesionit. “Kjo është një çështje me moralin e profesionit. Në çdo vend demokratik nuk mund të mendohet që një avokat të përdorë manovra të tilla për bërjen e drejtësisë”, deklaroi Nishani. Ai tha se shtyrja e gjyqeve në procese të rëndësishme është një fenomen që është shfaqur dhe duhet të parandalohet. “Përderisa është një fenomen që është shfaqur, duhen parashikuar masa alternative. është një shqetësim që nuk e ka vetëm ministria, por edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë”, pohoi ministri, duke shpjeguar edhe masat që duhet të merren ndaj avokatëve në fjalë.

Shqetësimi

Gjatë analizave vjetore të gjykatave të ndryshme, por në veçanti të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku po gjykohen procese të rëndësishme, është theksuar se avokatët janë bërë shkak për shtyrjen në mënyrë të pambarimtë të proceseve. Për këtë fenomen është vënë në dijeni edhe Ministria e Drejtësisë, si dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilët kanë kryer inspektime në të gjithë gjykatat e Shqipërisë. Rezultatet paraprake flasin se avokatët përdorin të gjitha mjetet që të shtyjnë proceset, duke përdorur edhe hapësirat që lejon ligji. “E kam gjetur këtë shqetësim te komuniteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Unë besoj se një konsultë që është nisur do ta zgjidhë këtë çështje. Në kod janë bërë diskutime për të parë se cilat mund të jenë masat administrative”, tha ministri Nishani, duke deklaruar se konsultat duhen bërë gjithmonë me standardet e parimit të së drejtës së gjykimit, në mënyrë që të jemi korrektë me jurispudencën ndërkombëtare. “është një proces që jemi në punë e sipër”, përfundoi ministri prononcimin për gazetën.

Diskutimet

Ndërkohë, burime nga Ministria e Drejtësisë deklarojnë se “Nëse arrijmë në një konkluzion, ku në parim dhe themel të respektohet ofrimi dhe sigurimi i të drejtës së mbrojtjes së personit të pandehur, atëherë procedura duhet të jetë shumë strikte dhe përcaktuese, në mënyrë që të mos ketë hapësira abuzuese nga ana e avokatit gjatë hetimit gjyqësor për të shtyrë procesin apo seancën, por trupi gjykues të ketë gjithë të drejtën dhe hapësirën ligjore për ta vazhduar procesin dhe seancën pa ndërprerje”. Ideja është që me ligj të përcaktohen dy grupe avokatësh për një çështje. Në rast se mungon njëri, seanca zhvillohet me grupin tjetër mbrojtës. Në grupin e parë janë ata që njihen me termin avokati i shtetit dhe në grupin tjetër avokatë të përfshirë në listë të posaçme nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Në vitin 2008 ndryshoi ligji i Avokatisë, por sërish shtyrjet e gjyqeve mbeten një problem për drejtësinë. Madje, Presidenti Topi, në cilësinë e kryetarit të KLD-së, ka bërë thirrje që proceset të mos zvarriten nga asnjëra palë, mbrojtje-akuzë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›