E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, rezultatet në fund të muajit korrik



Procesi i korrigjimit të provimeve me zgjedhje, do të fillojë sot në katër qendrat e vlerësimit. Rreth 300 korrigjues të testeve të vendosur në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier, do të nisin vlerësimin e testeve të 32 mijë maturantëve në lëndët: Njohuri për shoqërinë, Filozofi, Ekonomi, Anglisht, Histori, Biologji, Gjeografi, Kimi, Fizikë, Frengjisht, etj. Këto provime përmbanin për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 të tjera me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 80 pikë ne dy provimet me zgjedhje. Provimet me zgjedhje janë prova e fundit e Maturës Shtetërore dhe bashkë me dy provimet e detyrueshme dhe mesataren e shkollës së mesme, përbëjnë pesë komponentët e rezultatit për pranimin në institucionet publike të arsimit të lartë. Sipas rregullores së MASH-it, nëse një nxënës, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ai është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›