Katër skenarët për qeverisjen e Shqipërisë në vitin 1918
Kostë Çekrezi
(Vijon nga numri i kaluar)
Është mëse e natyrshme që tani e tutje shqiptarët nuk do të heqin mundësinë që t’i japin përgjigje Austrisë, sigurisht kur duhet, pasi ata nuk kanë qenë të çarmatosur. Ajo që duket më e besueshme dhe më e sigurt, me tërheqjen e divizioneve austriake, është se shqiptarët do të marrin në duart e tyre problemet që kanë dhe do të garantojnë të ardhmen e tyre. Unë kam shumë argumente të forta ta besoj se nëse jepet shansi midis tërheqjes së ushtrisë austriake dhe marshimit në drejtim të veriut të ushtrive aleate, shqiptarët do të krijojnë qeverinë e tyre kombëtare të pavarur, nëse ata nuk e kanë bërë deri tani këtë. Ata kanë të gjitha mjetet dhe kapacitetet për ta përfunduar. Figurat drejtuese në lëvizjen kombëtare shqiptare ishin zënë në befasi në Shkodër, në kohën e pushtimit të qytetit nga austriakët. Një ushtri e organizuar mirë do të ishte në gatishmëri menjëherë për qeverinë e re dhe organizimi administrativ efecient është pothuajse në duart e tyre. Në këtë rast, shqiptarët, automatikisht do të futen brenda linjës me Marrëveshjen e Aleatëve, të cilën ata mund ta përforcojnë duke shtuar disa gjysma duzinash divizione ushtarake të përbëra nga luftëtarët më të zotë në Ballkan. Por pavarësisht çështjes nëse shqiptarët do të jenë apo jo të aftë të krijojnë qeverinë e tyre pas tërheqjes së austriakëve, vijmë te çështja kryesore, rreth asaj që mund të ndodhë me Shqipërinë në tërësi pas pushtimit të saj nga ushtritë aleate.
Shqipëria pa drejtues
Marshimi fitimtar i trupave aleate brenda në Serbi është duke hapur rrugën për rikrijimin e qeverisë serbe brenda territorit të saj kombëtar, ku ajo do të ushtrojë atributet e sovranitetit pikërisht siç bënë përpara pushtimit të saj nga teutonët. E njëjta gjë po ndodh edhe në Malin e Zi. Por, a janë duke ecur shqiptarët në të njëjtën rrugë që të presin të njëjtën gjë? A do të lejohen ata të rikrijojnë qeverinë e tyre, qoftë edhe në rastin e një kthimi të mundshëm të Princ Vidit? A do t’i jepet qeverisë mundësia që të ushtrojnë plotësisht të drejtat e sovranitetit? A mund të trajtohen shqiptarët ndryshe nga serbët dhe malazezët?
Duke u mbështetur në mirëbesimin e diplomacisë britanike dhe veçanërisht të zotit Balfour, për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, zyrtarisht ai kishte thënë. Shkëlqesia e Tij, sekretari i Jashtëm, deklaroi para Dhomës së Përfaqësuesve, më 20 shkurt 1918, se qeveria britanike do të jetë e gëzuar të shikojë që të drejtat e shqiptarëve do të jenë të garantuara. Për më tepër, konstatimi mund të jetë bërë pjesë e programit të luftës së Partisë Laburiste Britanike, e cili garantonte largimin e ushtrive të huajve dhe dëmshpërblimin e Shqipërisë.
Në anën tjetër, Italia ka qenë dorëlëshuar në deklaratat zyrtare dhe veprimet vendimtare në lidhje me Shqipërisë. Kjo thjesht lë të kuptosh se qeveria e Romës aktualisht ka qenë e autorizuar nga pjesa tjetër e aleatëve të saj që të merrej ekskluzivisht me çështjet shqiptare. Ndoshta kjo është e përshtatshme për faktin se Italia shfaqet të kenë interesa jetike të mëdha të mbrojë anën tjetër të detit Adriatik.
Interesi për portën e Adriatikut
Parimisht këto interesa jetikë shtrojnë çështjen se çfarë mund të bëhet në kontrollin e bregdetit shqiptar apo me pjesën më të rëndësishme të saj, e cila është Gjiri i Vlorës. Ky “çelës” për detin Adriatik, siç është konsideruar përgjithësisht, ka një ndër gjiret bregdetare më të mira të Europës dhe në Otranto është vetëm 72 milje larg nga bregdeti italian. Austria është nxitur nga dëshira dhe synime të ngjashme në lidhje me pozicionin e Shqipërinë në Adriatik, i cili ka qenë më i rrezikshëm se sa ai i Italisë. Për shkak të konfigurimit tipik të bregdetit shqiptar, Italia dhe Austria u kujdesën për të në vitin 1900, pikërisht në momentin kur po shpërbëhej Perandoria Otomane dhe dy fuqitë së bashku garantuan pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë në mënyrë që bregdeti shqiptar dhe çelësi i Adriatikut të jenë në duart e shtetit shqiptar. Kjo çështje doli gjatë luftës së parë ballkanike, në vitin 1912, kur aleatët ballkanikë u turrën të ndajnë Shqipërinë mes tyre. Italia dhe Austria ndërhynë, kështu që u krijua shteti shqiptar. Por, ndërhyrja pasoi me një shpallje të pavarësisë, e cila ishte bërë nga vetë shqiptarët.
Qëllimet e Mbretërisë së Italisë
Kur Italia hyri në luftë, qeveria e Romës deklaroi se një nga qëllimet e luftës së Italisë ishte të rivendoste pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Në zbatim të kësaj politike, trupat italiane ishin urdhëruar të dëbonin ushtrinë e mbretit Konstantin nga Jugu i Shqipërisë. Kjo u bë gjatë verës së vitit 1916 dhe që atëherë territoret e Jugut kanë qenë nën zotërimin e Italisë. Gjatë këtij pushtimi autoritetet ushtarake italiane kanë bërë përpjekje në mënyrë të zellshme që të bëjnë diçka pas shkatërrimeve dhe rrënimeve që kishin bërë trupat greke gjatë largimit të tyre. Ata e vendosën këtë zonë në varësi të autoriteteve civile shqiptare, që të bashkëpunojë pazgjidhshmërisht me ata në realizimin dhe përmirësimin e një sërë gjërash të nevojshme; në hapjen e shkollave shqiptare, ku bashkë me gjuhën kombëtare të mësohej edhe gjuha italiane, në dhënien e ndihmës dhe trajtimin e refugjatëve, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe lënë pa bukë prej grekëve mizorë. Ky veprim i Italisë në Shqipëri është vlerësuar shumë nga gjenerali Scriven i Shtabit Amerikan të Ushtrisë, pasi ai kishte bërë kohët e fundit një udhëtim në krahinat e shkatërruara të Shqipërisë.
Më 3 qershor 1917, gjeneral Giacinto Ferrero, komandant i Forcave Eksploruese Italiane, bëri një deklaratë përpara një grupi të madh njerëzish të popullsisë vendase në Gjirokastër, qendra e përkohshme e krahinave të pushtuara nga Italia. Nga ajo shpallje ai deklaroi në emër të qeverisë mbretërore të Romës pavarësinë dhe bashkimin e Shqipërisë. Brenda një kohe të shkurtër i gjithë territori shqiptar do të jetë në duart e Forcave Aleate. Për këtë mund të jetë e nevojshme që të sigurohet një lloj qeverie për Shqipërinë derisa të pritet zgjidhja përfundimtare e çështjes së Ballkanit, ose mund të këshillohet rikthimi i statusit të dikurshëm të Shqipërisë.
Katër plane për Shqipërinë
Tashmë janë shtruar për zgjidhje katër plane të qeverisjes për Shqipërinë. Le të shqyrtojmë secilën prej tyre veçmas: Partizanët e demokracisë popullore mbrojnë planin e një Shqipërie republikane. Por Shqipëria ka mungesë të eksperiencës politike që gradualisht të çon te projektimi i demokracisë së mirërregulluar përmes zhvillimit të aftësive politike të individit. Pavarësisht nga ndonjë neveri që mund të ndihet ndaj dinastive dhe veglave të tyre, ndokush mund të mendojë njësoj se kjo është mëse e mjaftueshme për botën, siç ndodhi në luftërat përçmuese të republikave të dikurshme në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Miqtë e Esat Pashës mund të dëshirojnë ta shohin atë president të Republikës së Shqipërisë. Në një shkrim editorial të “The New York Times”-it, publikuar më 4 tetor, ishte cituar se Mbretëria e Shqipërisë “së fundi dëshiron mjaftueshëm të tregojë se mendjet e holla shqiptare përbëhen kryesisht nga Esat Pasha dhe njerëz të gatshëm për luftë”. Por maja e karrierës së Esat Pashës mbase ka kaluar tani.
Plani i dytë i qeverisë është të sjellë një princ tjetër në fronin e Shqipërisë, i preferueshëm, me gjak dhe prejardhje latine. Ishte përfolur për një kohë të gjatë se duka i Abruzit, kushëriri i mbretit të Italisë, ishte një pretendues për fronin e Shqipërisë, por ishte informacion i pakonfirmuar. E njëjta gjë ishte thënë edhe për princin e njohur francez. Një monarki e kufizuar kushtetuese, sipas modelit të përmirësuar belg, mund të përshtatej me vendosjen e pushtetit në vendet ballkanike. Burrat e shtetit dhe publicistët që kanë studiuar, kush më shumë dhe kush më pak, kushtet aktuale dhe nevojat e Shqipërisë, janë për një pushtet tranzitor. Ata propozojnë që në vend të krijimit të një pushteti republikan, shqiptarët mund të kenë një shans për t’u shprehur dhe për ta bërë atë. Kjo mund të bëhet nga themelet. Një ide e tillë është shpallur nga Komisioni i Lartë për Shtetin. Ky komision është mbrojtur se shqiptarët do të jenë të gëzuar të kenë si drejtues të tyre të përkohshëm një njeri të njohur për aftësinë dhe eksperiencën administrative, veçanërisht një amerikan, pasi ata ndihen të sigurt se nën drejtimin e një komisionari të lartë amerikan vendi i tyre do të lulëzojë dhe prosperojë.
Reagimet kundër protektoratit
Qëkur gjeneral Ferrero deklaroi pavarësinë e Shqipërisë “nën mburojën dhe mbrojtjen e Italisë”, ideja kishte rrjedhur në disa kanalizime që kjo frazë të lë të kuptosh një protektorat italian mbi Shqipërinë.
Në kohën e kësaj deklarate, i ndjeri Terestçhenko, ministri i Jashtëm i qeverisë së zotit Kerensku, bëri një protestë formale kundër krijimit të një protektorati italian në Shqipëri. Protesta të ngjashme gjithashtu ishin dëgjuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Dhomën e Deputetëve francezë. Në të njëjtin editorial të “The New York Times”-it, referuar kësaj çështje në lidhje me Esat Pashën, ne gjithashtu gjejmë qëndrimin si më poshtë: Kur qeveria italiane shpalli pavarësinë e Shqipërisë nën një protektorat italian, ajo tregoi gishtin për mënyrën e zgjidhjes, e cila do të përmbushte më shumë kërkesat tek Fuqitë që të zhvillojnë aq sa mundin aspektin e vetëqeverisjes dhe vetëpërmbajtjes së shqiptarëve dhe ata zor se mund të drejtohen pa një udhëzues, siç është ky i tanishmi.
Gjeneral Scriven ka gjithashtu të njëjtin mendim, që protektorati ka dëshmuar përfitime për shqiptarët, Por Italia është thellësisht e interesuar për Shqipërinë dhe një protektorat italian ndoshta mund të sjellë pakënaqësi te shtetet fqinje. Ditët në vijim do të nxjerrin në dritë kundërshtimin e tanishëm të shteteve të tjera ballkanike për një protektorat italian. Kjo është tejet e mirënjohur, shqiptarët vazhdimisht kanë luftuar për njohjen e pavarësisë së tyre dhe ata nuk do të jenë të kënaqur me asgjë tjetër përveç asaj.
Sigurisht, ata kanë nevojë që të mbrohen nëse do ta kenë shtetin e tyre të lirë, pikërisht tani sidomos për të pasur një dorë udhëzuese në menaxhimin e çështjeve të tyre, ashtu siç e kanë pasur të gjitha shtetet e Ballkanin në kohë krijimit të tyre. Tej nga të refuzuarit e saj, shqiptarët për veten e tyre pranuan menjëherë këto masa. Por, gjithashtu, ata e marrin me mend se protektorati italian dështon në realizimin e plotë të kërkesave të tyre.
“Populli shqiptar është inteligjent dhe praktik. Çdokush që viziton tani Shqipërinë dhe bisedon me banorët e saj, është në gjendje të dallojë cilësitë e bukura të pasardhësve të ilirëve dhe pellazgëve të lashtë”.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 20 tetor 1918
Autori i letrës është ish-sekretar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
14 Korrik 2008