E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fikeni dritën!

Një ekspozitë kombëtare me temë Të kursejmë energjinë elektrike, pritet të organizohet nga MASH-i dhe KESH-i, ndërsa dikasteri i arsimit premton edhe termoizolimin e shkollave

TIRANË - Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ministri i Arsimit, Genc Pollo, këshilloi gjimnazistët e shkollës së mesme “Petro Nini” që të fikin dritën kur të dalin nga shtëpia. Pollo shoqërohej në këtë takim edhe nga drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, ndërsa takimi në njërën nga shkollat e mesme të Tiranës u organizua në vijim të projektit të MASH-it dhe KESH-it për kursimin e energjisë elektrike. Kjo fushatë ka nisur në fakt që në muajin shkurt, në shkollën 9-vjeçare “Qazim Turdiu”. Projekti synon ndërgjegjësimin e të rinjve nëpërmjet informimit të nxënësve të shkollës bazë dhe të shkollave të mesme për përdorimin me eficencë të energjisë elektrike. Qëllimi është që nxënësit duke mësuar në shkollë, por edhe duke u argëtuar, të mund të kursejnë një burim, i cili nuk është i pashtershëm dhe që kushton. Për këtë arsye, në të gjitha shkollat bazë dhe ato të mesme, prej afro 3 muajsh po shpërndahen materiale me tema për përdorimin me eficencë të energjisë elektrike. Gjithashtu, është menduar edhe organizimi i një ekspozite pikturash në rang kombëtar, me temë “Të kursejmë energjinë elektrike”, fituesit e së cilës do të stimulohen me çmime, ndërsa imazhet më të mira të realizuara nga fëmijët do të përdoren gjatë fushatës së KESH-it për informimin dhe edukimin. “Edhe ne mund të kontribuojmë në gjëra fare të vogla dhe të thjeshta, si për shembull fikja e dritës apo objekteve elektroshtëpiake kur dalim nga shtëpia. Mund të duken gjëra të vogla në vëllim për secilin nga ne, por jo kur kemi parasysh zhvillime të tjera dhe efektin që kanë ato në hapësirë dhe në mbarë globin”, tha Pollo gjatë fjalës së tij. Sipas tij, njëra nga nismat që MASH-i do të ndërmarrë në këtë kuadër, është edhe standardi termoizolues i shkollave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›