E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-ja i jep garanci opozitës per monitorimin e zgjedhjeve

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së takon sekretaren e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PS, Arta Dade. Një mision vëzhgues i OSBE-ODIHR-it pritet që shumë shpejt të vijë në Tiranë për përgatitjet për zgjedhjet

Shaban Sulçe

OSBE-ja konfirmon misionin e saj për të monitoruar nga afër zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Organizata e rëndësishme ndërkombëtare nuk ka hezituar t’i ofrojë garancitë e saj opozitës shqiptare në lidhje me këtë çështje. Këtë garanci së fundmi e ka marrë edhe sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, e cila ka qenë prezente gjatë takimit të Sesionit të 8-të të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillohet në Vienë. Sipas njoftimit zyrtar për këtë takim, shumë shpejt në Shqipëri do të vijë një mision vëzhgues nga OSBE-ja dhe ekspertë të ODIHR-t për të ndjekur nga afër përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit.

Takimi
Sesioni i 8-të i dimrit i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së ka nisur para tri ditësh në kryeqytetin e Austrisë, Vienë.
Në këtë veprimtari merr pjesë edhe sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të PS-së, deputetja Arta Dade, në cilësinë e anëtares së Delegacionit të Përhershëm Parlamentar Shqiptar pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Gjatë punimeve të Komisionit të Përgjithshëm për Demokraci, Të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare, Dade, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të Partisë Socialiste si forca kryesore e opozitës në reformën zgjedhore, ngriti shqetësimin lidhur me vonesat e përgatitjeve të procesit zgjedhor, duke e konsideruar këtë proces si shumë të rëndësishëm për fatin e të ardhmes europiane të vendit tonë.
Dade u ndal konkretisht te vonesat e pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit, vonesa që mund të çojnë në privimin nga e drejta kushtetuese e votimit të zgjedhësve, të cilët nuk kanë një nga dokumentet identifikues të parashikuar në Kodin Zgjedhor. Gjatë takimeve me përfaqësues të lartë të AP-së së OSBE-së në Vjenë, deputetja socialiste kërkoi prezencën e një misioni vëzhgues me anëtarë të kësaj Asambleje, për të ndjekur nga afër ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, si dhe të monitorimit të procesit zgjedhor.
Ajo ka takuar Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, por edhe përfaqësues të presidencës greke të OSBE-së, drejtorin e ODIHR-it Janez Lernacic, si dhe delegacionet suedeze dhe daneze. Deputetja Dade mori garanci se shumë shpejt në Shqipëri do të vijë një mision vëzhgues nga OSBE-ja dhe ekspertë të ODIHR-t, për të ndjekur vetë nga afër përgatitjet për zgjedhjet.

OSBE-ja

Vendimi i OSBE-së për të monitoruar nga afër zgjedhjet e 28 qershorit u konfirmua pak ditë më parë nga ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, në cilësinë e kryesueses së radhës të presidencës së OSBE-së. Gjatë vizitës së saj në Tiranë, në takimet që Bakojanis zhvilloi si me krerët e qeverisë dhe me krerët e opozitës, ajo konfirmoi se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Bakojanis garantoi se OSBE-ja do të dërgojë vëzhguesit e saj në zgjedhjet parlamentare shqiptare dhe plot optimizëm u shpreh se beson se Shqipëria do të arrijë standardet e kërkuara në zgjedhje. Çështja e zgjedhjeve të qershorit dhe përmbushja e standardeve të tyre ishin në qendër të bisedës së zhvilluar që Bakojanis zhvilloi edhe me kreun e PS-së, Edi Rama. Burime zyrtare nga OSBE-ja kanë konfirmuar se Bakojanis është shprehur se Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes që kësaj radhe të mos zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›