Rama: “Do t’u japim certifikatat e pronësisë fermerëve për pronën bujqësore”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premton zgjidhjen përfundimtare të regjistrimit të tokës bujqësore dhe dhënien e certifikatave të pronësisë për fermerët shqiptarë. Këtë premtim Rama e ka bërë gjatë takimit të Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste të zhvilluar në qytetin e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama ka theksuar se më 28 qershor do të hapet epoka e kapitalizimit në fshatin shqiptar. "Ne do të përfundojmë regjistrimin e tokës bujqësore dhe do t'u japim në dorë certifikatën e pronësisë bujqve e fermerëve duke hedhur bazën e tregut të tokës. Sepse nuk mund të ketë një Shqipëri të mirushqyer me një fshat të kthyer në epokën e mesjetës dhe s'mund të ketë një Shqipëri europiane të zhvilluar ekonomikisht pa hapur epokën e kapitalizmit në fshat. Ne do ta hapim këtë epokë më 28 qershor, duke mbyllur procesin e certifikimit të pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e Ligjit 7501, duke i kthyer bujqit dhe fermerët shqiptarë nga bujkrobër që mbijetojnë pa pronë e mbështetje nga shteti në zotër të tokës që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin e me shtetin për të nxjerrë nga varfëria familjen e tyre, fshatin e tyre, atdheun e tyre”, - tha Rama. Ai bëri gjithashtu edhe një tjetër premtim për Shkollën Normale të Elbasanit, duke thënë se qeverisja e ardhshme socialiste do ta rigjallërojë këtë djep arsimor. "Më lejoni t'ju them se ne as do ta mbyllim dhe as do ta shndërrojmë Normalen e Elbasanit në një gjimnaz si gjithë të tjerët, por do ta rikthejmë atë në një vatër të edukimit të edukatorëve të fëmijëve tanë, duke i kthyer prestigjin e një historie të nisur 100 vjet më parë. Vëmendja e qeverisë sonë do të jetë e palëkundur në rrugën e rimëkëmbjes së arsimit shqiptar. Ne kemi bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në 4 vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet të mbledhura së bashku", - deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama.
21 Shkurt 2009