E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta elektronike. Zgjedhjet, manipulimet dhe tjetërsimet e faqeve on-line

Metodat e organizuara të manipulimit dhe paralizimit të faqeve elektronike.

Tiranë - Pragfushata elektorale ka zgjuar dhe vigjilencën ndaj manipulimeve elektronike në faqet zyrtare qeveritare, por edhe partiake. Paralelisht me modelet perëndimore, këto faqe janë kthyer në burim informacioni dhe interesi të lartë jo vetëm për gazetarët, por edhe për mijëra përdorues interneti që në këtë prag fushate ndjekin me vëmendje lëvizjet dhe mesazhet që jepen për informimin publik në këto faqe. Vetëm pak muaj më parë, një faqe e re elektronike detyroi Këshillin e Ministrave të dilte në deklaratë për shtyp pasi faqja zyrtare e qeverisë ishte “rivalizuar” nga një faqe private, e cila në adresën e saj kishte një ndryshim gati të padukshëm me faqen zyrtare të qeverisë(keshilliministrave.al/keshilliministrave.org). Kjo faqe habiti dhe ngatërroi disa media dhe shumë vizitorë interneti, ndërsa denoncimi publik që erdhi nga qeveria i fali faqes “kopjace” edhe më shumë publicitet, sot ajo është ndër më të klikuarat dhe ndër më ironizueset e aktivitetit qeveritar dhe posaçërisht kryeministrit. Gjithsesi “Albania” është interesuar në ekspertë të kësaj fushe për të krijuar një ide më të saktë mbi nivelin e mbrojtjes së faqeve elektronike të subjekteve politike dhe atyre qeveritare, ndërsa renditja e tyre shfaqet paksa surprizë.
Mbrojtja
Ekspertë IT gjatë krahasimit të nivelit mbrojtës të këtyre faqeve kanë vërejtur se dy faqet më të mbrojtura janë faqja e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe faqja zyrtare e Partisë Socialiste. Të dyja këto faqe kanë të njëjtin nivel sigurie dhe renditen “në rrethin e tretë koncentrik” të sigurisë, i cili nuk është niveli maksimal i sigurisë (pasi ekzistojnë pesë rrethe), por në krahasim me faqet e tjera këto dy faqe janë nga më të imunizuarat. Në vend të dytë vjen faqja kryeministrore, e organizatës “G99”, e Ministrisë së Financave, e Kuvendit dhe e Ministrisë së Kulturës, të cilat për nga niveli i sigurisë dhe imunitetit ndaj viruseve “kontrollues” renditen në rrethin e dytë koncentrik, me një nivel nën mesatar mbrojtës. Sakaq, një numër i madh ministrish, si ajo e Transporteve, Ekonomisë, Mjedisit, etj, bëjnë pjesë në “rrethin e parë koncentrik’ ku manipulimi dhe ndërhyrja në to është më e lehtë se kurrë. Ndonëse në një gjendje paksa “të mjerueshme”, këto faqe nuk kanë regjistruar asnjëherë ndonjë sulm nga “hakerat”, ndonëse është ende herët për të përjashtuar mundësitë e sulmit virtual deri në zgjedhje.
Manipulimet
Një tjetër burim shumë influent i zërave të faktorëve politikë para fushatës janë faqet private elektronike të ofruara në formë “blogu”-u ose agjencitë e informacionit. Shumica e agjencive të informacionit kanë shpallur sondazhet e tyre modeste mbi disa fenomene apo personazhe që lidhen në një mënyrë ose në një tjetër me situatën parazgjedhore. Sipas ekspertëve IT, ndërhyrja në këto minihapësira të faqeve është një punë e thjeshtë për hakerat profesionistë pasi do të mjaftonte kontrolli vetëm i 10 për qind të kapacitetit të faqeve për të ndryshuar parametrat dhe të dhënat e këtyre shpalljeve. Megjithatë, ende në Shqipëri nuk janë hasur tendenca të tilla, pasi në këto tip sondazhesh apo debatesh në agjenci informacioni apo në “blog”-e vihen re vetëm tendenca të një “votimi të përsëritur dhe të organizuar” dhe jo ndërhyrje direkt në rrjet për të ndryshuar parametrat e votimeve.

Hakerat shqiptarë ofrojnë shërbime kriminale me qira

Deri sot, në Shqipëri është “ravijëzuar” një grup hakerash që jo vetëm kanë shpallur autorësinë mbi sulmet patriotike ndaj disa faqeve zyrtare greke, por ndërkohë kanë shpallur dhe tarifat e tyre të shërbimit për cilindo që ka mundësinë të paguajë për të shkatërruar faqet e kundërshtarëve të vet. Ky grup quhet “Albanian Security Clan” dhe vepron që prej dy vitesh. Dy vite më parë, në fillim të sulmeve të tij, ky grup ka vënë kryesisht faqe greke me përmbajtje tregtare dhe biznesi dhe në plan të dytë janë faqet me përmbajte kulturore apo politike, siç është ajo e faqes zyrtare greke të Eurovizionit. Në plan të parë, në faqen e goditur dilte një flamur shqiptar dhe shprehja “Shtypni punëtorët shqiptarë dhe ne do të shqyejmë të gjitha sitet greke”. Më tej, ky grup strukturoi një faqe të tijën në internet dhe hapi madje dhe forume ku ekspertët e hakerimit diskutonin për perfeksionimin e metodave. Mendohet se ky grup është i përbërë nga ekspertë IT shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa së fundmi grupi ka shpallur në publik dhe ofertat e veta konkurruese për shërbimet e hakerimit.

BOX
NATO dhe Pentagoni “humbin” luftën me hakerat

Viktima të sulmeve elektronike kanë rënë dhe superfuqi ushtarake si NATO-ja dhe Pentagoni. Madje, këto sulme u regjistruan vetëm pak javë më parë, gjatë ofensivës izraelite mbi Palestinë. Sipas agjencisë informative “Zone-H”, këto sulme arritën t’i prishin faqet e Ushtrisë Amerikane në Uashington si dhe faqen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Faqja e NATO-s është kthyer brenda pak orësh sërish në përdorim on-line, por faqet e Ushtrisë Amerikane mbetën të prishura për katër ditë. Në uebsajtet e prishura të ruajtura nga Google, ndër të tjera shkruhej: "Izrael dhe SHBA, ndalni sulmet në Palestinë!"; "Ju jeni popuj të mallkuar" dhe "Një ditë, ne, myslimanët, do ta pastrojmë botën prej jush". Por NATO-ja nuk u është përgjigjur menjëherë këtyre komenteve. Ndërkohë, jo të gjitha uebsajtet e Ushtrisë Amerikane janë prekur nga këto sulme. Duke përdorur atë që është e njohur si "SQL injection attack", hakerat po ashtu e kanë prishur edhe uebsajtin e Shtabit të Forcave të Bashkuara të Regjionit Kryesor Nacional. Kështu të paktën pohon Gary Uarner, drejtor i Hulumtimeve dhe Shkencave Kompjuterike në Universitein e Alabamas në Birmingham. Zëdhënësja e Ushtrisë Amerikane nuk ishte në gjendje të jepte koment për këto sulme.

BOX
Programet më të përdorura nga “kriminelët virtualë”

"SPYWARE"
Një program spiun, i cili
instalohet automatikisht dhe mund
të marrë të dhëna personale të
rëndësishme (si informacionet e
kartës së kreditit)

"PHISHING"
Mesazhe që stimulojnë grafikën
dhe përmbajtjen e mesazheve e-mail
që dërgojnë bankat, kompanitë
e sigurimeve ose kompani të tjera
të respektuara. Në këtë mënyrë,
informacionet e fshehura jepen nga
vetë viktima, i cili nuk e ka kuptuar
trukun.

"VISHING"
Ky lloj sulmi është evolucioni i
"phishing" dhe godet ata që e
përdorin internetin për të telefonuar
me "Voip" (si për shembull skype).

"ZOMBIE"
Është Kali i Trojës (Trojani) që vë në
dispozicion të plotë për hakerin
kompjuterin e infektuar, të quajtur
ndryshe "zombie". Falë miliona
kompjuterëve të tillë, hakerat mund
të paralizojnë faqe të ndryshme
interneti.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›