Kule: Ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë cënojnë drejtpërdrejt Universitetet
Ligji i Ri për Arsimin e Lartë është kthyer kohët e fundit në mollë sherri midis auditorëve, drejtuesve të Universiteteve dhe gjithashtu Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në lidhje me këtë kontestimet e pakthyeshme të vetë rektorëve apo dekanëve për disa nene
të ndryshuara në ligjin e ri, ditët e fundit kanë marrë nota vërtet të ashpra, saqë nuk kanë mjaftuar vetëm takimet e njëpasnjëshme të drejtuesve të Universiteteve me kreun e kësaj Ministrie por, pikërisht dy ditë më parë drejtues të Universitetit të Tiranës kanë diskutuar me vetë kreun e Shtetit Presidentit të Republikës Topi. Këtë e ka deklaruar ditën e djeshme Rektori i UT, Kule. Sipas tij tani janë në pritje edhe pse vazhdojnë të kontestojnë në mënyrë të hapur shkeljet që u bëhen disa neneve të ndryshuara në ligj. Rektorët kundërshtojnë në mënyrë drastike nenin i cili është i përcaktuar në kapitullin e dytë të ndryshimeve dhe ka të bëjë me decentralizimin e vendimmarrjes. Ndryshimi që bëhet në ligj, synon që miratimi i shkollave të reja publike ose private të mbetet kompetencë e Këshillit të Ministrave dhe i Presidentit.. Kjo gjë kontestohet nga rektorët të cilët e argumentojnë këtë me idenë dhe përgjegjësinë se miratimi i Shkollave publike duhet të jetë kompetencë e tyre. Por një kontestim i ashpër është edhe dypunësimi i cili në nenet e ndryshuara nga Ministria e Arsimit ka përjashtuar rektorët ose dekanët. Gjithashtu drejtuesit e Universiteteve replikojnë dhe e quajnë të jashtëligjshëm ndryshimin e nenit i cili ka të bëjë me Konvertimet e shkollës pasuniversitare, që u konsideruan master, të cilat sipas rektorëve janë të papërshtatshme me sistemin aktual. Gjithashtu disa nene të ligjit të arsimit të lartë janë konsideruar nga profesorati si antikushtetuese, duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të tyre. Kështu, Konferenca e Rektorëve e cila është organizuar pak ditë më parë, ka kërkuar ndryshimin dhe përmirësimin e disa neneve të ligjit të arsimit të lartë, të cilat nuk janë marrë parasysh nga ministria e Arsimit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se disa nene të këtij ligji janë antikushtetuese, ndaj është domosdoshmëri rishikimi i tij.
Ndryshimet
Dekani i Fakultetit Filologjik, Shezai Rrokaj, ka sqaruar pak ditë më parë se cilat janë ndryshimet që u kanë propozuar rektorët Ministrisë së Arsimit dhe që sipas drejtuesve prekin në mënyrë direkte interesat e studentëve por gjithashtu edhe ato të vetë rektorëve. Disa nene të këtij ligji janë antikushtetuese, ndaj është kërkuar ndërhyrja. Kështu, dekani i Filologjikut ka sqaruar se cilat ndryshime duhen bërë. Sipas tij e para ka të bëjë me titujt e diplomave, me vlerësimin që u bëhet atyre dhe titujt e diplomave të mëparshme, sidomos për ata që kanë mbaruar atë që sot quhet DND. Diplomë e nivelit të integruar dhe sidomos me ata që janë duke vazhduar MND. Konvertimet e shkollës pasuniversitare që u konsideruan master, janë të papërshtatshme me sistemin aktual. Sipas Dekanit Rrokaj do të duhej një rikonceptim i këtij sistemi. Rektorati i Tiranës i ka bërë edhe një kërkesë Kryeministrit Sali Berisha për rishikimin e propozimeve që profesorët i kanë bërë këtij ligji, propozime që nuk janë shqyrtuar nga ministri i Arsimit. Problemi tjetër ka të bëjë me një sërë kompetencash. Ndërhyhet në kompetencat e Presidentit, në ato kompetenca që Kushtetuta ia ka garantuar. Prej disa vitesh disa nene të ligjit të arsimit të lartë janë kontestuar nga profesorët, të cilët kërkojnë më shumë autonomi, pasi vetëm kështu mund të arrijmë një tjetër cilësi në universitete.
Diplomat e universiteteve, sipas ligjit të ri për Arsimin e Lartë
Ndryshimet e projektligjit prekin gjithë sistemin e arsimit të lartë, duke nisur që nga struktura e re, e cila konsolidon të tria ciklet e studimeve me disa përmirësime. Diploma e Nivelit të Parë do të quhet Bachelor, si në shumë vende të tjera evropiane dhe mbetet përsëri 3 vjet me 180 kredite. Ndryshimet kanë prekur edhe ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, më konkretisht në ciklin e dytë të studimeve, ndryshimi që ndodh është se do të përdoret përsëri emërtimi Master, por jo më Master i Nivelit të Parë, por thjesht Master dhe në vend të Diplomë e Nivelit të Dytë, Master i Shkencave. Në këtë cikël kemi dhe ndryshimin e dytë thelbësor dhe cilësor. Të gjithë studentët që do të vazhdojnë Masterin Shkencor ose atë Profesional, do të japin provimin e gjuhës angleze përpara mbrojtjes së tezës ose provimit përfundimtar, me një test internacional. Pra, në ligjin për arsimin e lartë do të jetë e përcaktuar që zotërimi i anglishtes në një nivel të certifikuar me testet ndërkombëtare është një parakusht. Ne jemi një vend i vogël me popullsi shumë të re dhe kemi një numër të madh studentësh dhe të diplomuarish, jemi të vetëdijshëm që duhet të shkollojmë në një nivel të tillë cilësor, që të jenë të aftë të konkurrojnë për tu punësuar në tregun e brendshëm dhe atë rajonal. Diploma e Nivelit të Dytë do të quhet Master i Shkencave dhe ligji e përcakton që ky master është një program studimi i orientuar në kërkim dhe i drejtohet kryesisht grupit të studentëve që janë të interesuar të vazhdojnë edhe studimet e doktoratës. Masteri i Shkencave zgjat 2 vjet dhe mbyllet me një projekt kërkimor dhe me një tezë të shkruar të masterit. 30-40 kredite nga 120 kredite gjithsej do të shfrytëzohen për kërkim shkencor dhe për të shkruar tezën e masterit. Kjo tezë do të mbrohet përpara një komisioni, pasi është dhënë provimi i gjuhës angleze. Masteri i Shkencave është diploma që të çon në studimet e doktoratës.
Ndryshimet për kurrikulat, Universitetet përgjegjëse për programet e tyre
Miratimi i drejtimeve dhe programeve të reja mësimore do të jetë kompetencë e Ministrit të Arsimit mbi bazën e vendimit të Këshillit të Akreditimit. Ligji saktëson se Ministri nuk mund të marrë asnjë vendim ndryshe nga vendimi i Këshillit të Akreditimit. Të gjitha ndryshimet që ndodhin në programet e kurrikulës, për drejtimet e miratuara janë kompetencë e universiteteve. Filozofia e decentralizimit ka të bëjë me atë që duhet tu krijojmë mundësi universiteteve që, sa më shpejt, të krijojnë profilin e tyre në konkurrencë me shkollat e tjera. Kapitulli i tretë i ndryshimeve është ai që lidhet me departamentin. E para , ligji saktëson se departamentet që kanë personel akademik të mjaftueshëm dhe me kualifikimin e duhur, do të strukturoren në grupe mësimore-kërkimore. Në këtë mënyrë brenda departamentit krijohet hierarkia institucionale. Qëllimi është që të promovojmë sa më shumë të rinj në postet e lidershipit brenda departamentit dhe emërimi i titullarëve të grupeve kërkimore-mësimore, të realizohet me konkurs të hapur në fakultet. Ndryshimet ligjore kanë prekur dhe Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë fakultet deri tani kemi pasur strukturën e departamentit dhe atë të shërbimit. Tani edhe shërbimi do të ketë të njëjtin status me departamentin. Në këtë mënyrë u jepet mundësi shërbimeve që të përftojnë më shumë forca të kualifikuara dhe të integrojnë më shumë të rinj në strukturën e tyre. Grupi i katërti i ndryshimeve prek politikat e personelit, të menaxhimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të bashkëpunimit midis autoriteteve dhe organeve kolegjiale. Ligji përpiqet të sqarojë procedurat e emërimit të asistentëve dhe pedagogëve me konkurs. Rregullat do të jenë të qarta dhe ai, që klasifikohet i pari, duhet të emërohet. Konkursin e organizon vetë universiteti.
Ligji i ri për Arsimin e lartë, ja si parashikohet Matura në 2011
Matura e vitit 2011, siç e kemi të përcaktuar në ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të lëshojë Diplomë të Maturës Shtetërore. Në maturën e vitit 2012 kjo diplomë do përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale. Kësisoj ne kemi një pikënisje të barabartë me çdo vend tjetë