Drejtoresha e ISKSH-së Hana : 153 mijë persona janë pajisur me librezë shëndeti në 3 muaj, për 2010
Në mbledhjen e ditës së djeshme të Këshillit Administrativ të ISKSH-së, Drejtoresha e Përgjithshme, Elvana Hana pasqyroi të dhënat e rritjes së skemës së sigurimeve dhe pajisjes së personave me librezë shëndetësore. Gjatë tre mujorit të I-rë 2010 janë pajisur për herë të parë me librezë shëndeti 153,050 të siguruar, ndërkohë që ne tre-mujorin e parë 2009 u pajisën 82,043 persona. Pra gjatë tre-mujorit të parë 2010 janë pajisur me librezë shëndeti 71,007 të siguruar me shumë se gjatë tre-mujorit të I rë të 2009 (ose 86 % më shumë), u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ drejtoresha e ISKSH-së. Gjatë tre-mujorit të parë 2010 nga mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore të kujdesit parësor janë trajtuar me receta me rimbursim 251,518 pacientë. Janë kryer 1,415, 003 vizita dhe për pacientët e siguruar janë plotësuar 804,473 receta me rimbursim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 ka një rritje prej mbi 160 mijë vizita më shumë. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë 3 mujorit të parë të vitit ka një rritje ne vlere rimbursimi prej 22 % më shumë (në vlerë absolute për 256 milion lekë) krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2009. Nëpërmjet Sigurimit Shëndetësor përfiton. Shërbimi shëndetësor falas te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes. Shërbimin shëndetësor falas te mjeku specialist. Shërbimin shëndetësor falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital. Ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike falas. Ekzaminimet unikale terciare me rimbursim në masën 90% dhe bashkëpagesë nga personat e siguruar 10%. Barnat e listës së rimbursuar falas, për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët . Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Barnat falas për të sëmuret me tumore, transplant të veshkës, skleroze multiple, talasemia major. Barna me rimbursim të pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50%, barnat e listës, kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me ISKSH-në. Përfitoni kur jeni të pajisur me Librezën e Shëndetit, me të cilën pajiset çdo i siguruar pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimit Shëndetësor. Sigurimi Shëndetësor ju jep të drejtën të zgjidhni mjekun e përgjithshëm dhe të familjes që dëshironi.
Last Updated on Tuesday, 11 May 2010 21:33