Mjekët e poliklinikave braktisin pacientët për të fituar kreditet e kërkuara nga Vasili
Në poliklinikat e kryeqytetit duket sikur vetë bluzat e bardha, kanë braktisur zyrat e tyre dhe kanë rendur pas konferencave dhe seminareve të cilat tani u shërbejnë atyre më shumë se kurrë ndonjëherë. Në poliklinikën e specialiteve radha e
gjatë e pacientëve që pret për të kryer ekzaminimet apo vizitat, nuk të bën përshtypje. Më interesant është fakti se vetë mjekët e infermieret e poliklinikës edhe pse është dita e dytë e javës nuk duken përgjatë gjithë paradites. Nga informacionet që siguroi gazeta SOT në numër mjekët e kësaj poliklinike janë në total rreth 40-50 të tilla, por paraditen e djeshme dukej sikur ky numër ishte reduktuar ndjeshëm. Arsyeja e vërtetë është shpjeguar nga një prej mjekëve të kësaj poliklinike. Mjekja me inicialet, R.G ka deklaruar ditën e djeshme se pjesa dërrmuese e mjekëve kanë rendur nëpër konferenca e seminare për të fituar kreditet e duhura, për vlerësimin sa më të mirë të tyre sipas një urdhri të sapo deklaruar, pak kohë më parë nga vetë kreu i Ministrisë së Shëndetësisë Vasili. Urdhër i cili ende mbetet në letra të bardha dhe fle në sirtaret e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas mjekes G, mjekët e poliklinikave dhe jo vetëm ata por në shumë raste edhe vetë mjekët e QSUT-së ka rreth dy javë që në shumtën e rasteve nuk i gjen në zyrat e tyre duke i shërbyer pacientëve por ë seminare e konferenca nëpërmjet të cilave për pjesmarrjen e tyre dhe për kualifikimet që marrin në këto konferenca do të shtojnë kreditet nëpërmjet të cilave do të vlerësohen nga vetë kreu i Shëndetësisë, Vasili. Sipas mjekes së poliklinikës së specialiteteve në njëfarë mënyre mjekët janë të detyruar të lënë në pritje pacientët dhe të marrin pjesë në seminaret në të cilat do të vërtetojnë edhe nëpërmjet punëve shkencore aftësinë e tyre profesionale. Sipas mjekes së poliklinikës së specialiteteve është e detyrueshme pjesëmarrja të paktën dy ose tre herë në javë sepse kreditet janë tepër të larta dhe një seminar vlerësohet me shumë pak pikë.
Precedenti
Për të mbrojtur vendin e punës, të gjithë punonjësit e shëndetësisë do t'u nënshtrohen testimeve që vërtetojnë aftësinë profesionale. Kjo do të bëhet përmes certifikimit që do përfitojnë të gjithë mjekët të çfarëdo specialiteti nga pjesëmarrjet e tyre në trajnime apo konferenca shkencore e mjekësore. Të parëve që do tu duhet pjesëmarrja e përhershme në trajnime do të jenë mjekët, stomatologët dhe farmacistët dhe më pas do të vazhdohet në nivele të tjera. Ministri i Shëndetësisë, pak kohë më parë ka dhënë urdhër që të fillojë trajnimi i mjekëve por nuk e ka bërë aspak të qartë këtë skemë. Më të prekurit nga ky vendim janë sigurisht pacientët të cilëve deri në mbërritjen e mjekëve në poliklinika. Për gjatë diskutimit të draft-dokumentit në tryezë të rrumbullakët Vasili ka deklaruar se certifikimi i profesionistëve të shëndetësisë është një domosdoshmëri.
Kriteret
Të parët do të jenë mjekët, stomatologët dhe farmacistët dhe më pas do të vazhdohet në nivele të tjera. Ky proces do të kryhet nga Bordi Kombëtar i Akreditimit dhe Certifikimit që do të kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të jetë ky bord që do të vendosë për procedurat dhe sanksionet. Ky certifikim do të zgjasë në cikle 5-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, një mjek, farmaciste apo dentist duhet të grumbullojë 150 kredite. Këto kredite do të vlerësohen në bazë të punime shkencore, literaturës, ëorkshop-eve brenda dhe jashtë vendit. Në rast të mosplotësimit të këtyre kritereve, punonjësi do t'u nënshtrohet dy provimeve dhe në rast moskualifikimi do të përballet me sanksionet që mund të shkojnë deri në heqje të drejtës për ushtrimin e profesionit. Vetëm kështu do të arrijmë të njohim nivelin e punonjësve të sistemit shëndetësor do të eliminonim ngjarjet si pasojë e profesionit. Kohët e fundit kemi verifikuar jo pak raste të një praktike të keqe, - tha ministri Vasili.
Arta AGOLLI