E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: ”S ka konflikte prone, projekti parashikohet për 12 mijë studentë”

Autori i Lajmit: red.
Fusha e sportit e Qytetit Studenti do të shndërrohet në kampusin universitar, ku do të bashkohen të gjithë studentët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës (UT). Pas miratimit nga rektorati, projektideja për kampusin universitar, e hartuar nga drejtuesit e UT-së, pritet që javën e ardhshme do të kalojë në mbledhjen e senatit dhe këshillit të administrimit, dhe më tej, si projekt konkurrues në Qeveri. Duke iu referuar këtij projekti, që pritet të realizohet brenda tre vitesh, me kosto investimi rreth 23 milionë euro, rektori i UT-së, Dhori Kule, tha dje se “kampusi studentor është zgjidhja afatgjatë, me standarde bashkëkohore të infrastukturës”. Kule tregoi se është përgatitur studimi urbanistik pjesor i kampusit, që parashikon mjedise studimi për mbi 12 mijë studentë të rinj. “Kjo ndërtesë do të jetë e nivelit dhe formatit cilësor ndërkombëtar dhe, fatmirësisht, është e zgjidhur problemi i pronës, pasi është në zonën universitare të UT-së, sikurse janë dhe mjediset sportive në Qytetin Studenti”, - tha Kule. Sipas tij, UT do të kontribuojë me të ardhurat dytësore për realizimin e projektit si dhe mund të bashkëpunohet me donatorë për financimin e tij. Sipas planit urbanistik pjesor, Kampusi Studentor i UT-së do të jetë me 5 kate, me sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 32.536 m2, ku zona sportive do të zërë një sipërfaqe prej 13.150 m2. Kampusi do të ketë një palestër (1 890m2, fushë minifutbolli (1 600m2), fushë tenisi (1 040 m2), fushë basketbolli (1 260 m2) dhe pistë vrapimi (1 540 m2), rrugë automobilistike, ku do të përfshihen trotuare, rrugë këmbësorësh dhe sheshe gjelbërimi.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›