E Diel, 1 Nëntor 2026

Periferitë e kryeqytetit, zonat ku do të investohet më shumë

Autori i Lajmit: red.
Ndërsa në vitet e komunizmit përbënte "blasfemi" krijimi i tipit "Metropol" për kryeqytetin, sikurse e kishte përvijuar të tillë në vitin 1940 arkitekti italian Gerhardo Bosio, sot plani rregullues sipas modelit Tirana-qytet, ecën drejt këtij modeli. Vizioni për një Tiranë metropolitane daton herët në historinë e qytetit, që në vitin 1940, kur arkitekti Gerhardo Bosio projektoi planin rregullues të kryeqytetit të Tiranës-qytet, në bazë të të cilit, synohej përfshirja e komunave dhe rrethinave, drejt zhvillimit të ardhshëm të një Metropoli, bashkë me hapësirat ndërlidhëse interurbane. Ky vizion u la në harresë në vitet e komunizmit, kur merrte përparësi ruajtja e raporteve qytet-fshat, në bazë të parimit për zhvillimin e planifikuar dhe centralizues të ekonomisë, prej nga erdhi më tej panorama tronditëse e pas viteve 90, kur zhvendosjet masive të popullsisë drejt Tiranës, krijuan zonat informale. Sot, procesi i nisur i legalizimeve të tyre, bashkë me përmirësimin e infrastrukturës brenda tyre, i ka futur zonat informale në fokusin e ndërtuesve, si pasojë edhe të Bashkisë së kryeqytetit, e cila në planin rregullues të Tiranës, zonat informale nuk i shikon si pengesë, por si shteg mundësish për një cilësi të re jete. Vetë projektet që pritet të zbatohen në këto zona, parashikojnë që në të ardhmen, periferitë e kryeqytetit të shndërrohen në zonat ku do të investohet më shumë. Zhvillim i nivelit të lartë urban premtohet për korridorin e Paskuqanit, duke lidhur qytetin e Tiranës me zonat periferike veriore të lumit të Tiranës. Në bazë të projektit për këto zona, nxitet zhvillimi i tyre me nivel të lartë, duke i gërshetuar me funksionimin e tyre edhe si nyje transite, përmes kryqëzimit të linjave të rrugëve kryesore transite me qendrat e lagjeve. Të gjitha hapësirat urbane do të lidhen me një rrjet rrugor të ndarë në tri kategori: rrugë kryesore të tipit A, të tipit B dhe rrugë sekondare, të cilat do të kenë një gjatësi totale prej 170 kilometrash. Në projektin rregullues të Tiranës Metropol, është parashikuar të ndërtohet një sistem Metro-Hekurudhor, duke përdorur linjat ekzistuese, të cilat do të lidhin aeroportin me Universitetin, Kombinatin me Qendrën e Kamzës. Ndërsa stacionet e tjera do të përfshihen në fokusin e programit për dendësimin e zonave. Megjithatë, sipas Zyrës së Urbanistikës në Bashki, do të pritet miratimi i këtij plani për të parë më tej ndryshimet që do të përfshijnë zonat periferike të Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›