Universiteti i Tiranës: Përfundoi procesi i vetëvlerësimit të fakulteteve

Tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë përfunduar procesin e vetëvlerësimit në kuadër të përgatitjes për akreditimin e këtij institucioni të arsimit të lartë nga agjencia gjermane "AQUIN". Burime zyrtare të UT-së konfirmuan se të dhënat e dala nga procesi i vlerësimit të brëndshëm të fakulteteve, sipas kërkesave që ka Bolonja, do të publikohen javën e ardhshme përmes një raporti që po punohet nga rreth 30 pedagogë. Ky raport do të përmbajë gjëndjen infrastrukturore të fakulteteve, të dhëna për stafin akademik, studentët, etj. Menjëherë pas përfundimit të procesit të vetëvlerësimit, UT do t’i kërkojë agjencisë gjermane më prestigjoze të akreditimit në Europë, "AQUIN", që të realizojë akreditimin e Universitetit të Tiranës (UT), një nga sipërmarrjet më të mëdha në fushën e arsimit në vend. Lidhja e rektoratit të UT-së me agjencinë "AQUIN" nisi vitin e kaluar, gjatë një takimi të organizuar me përfaqësues të "AQUIN" në Gjermani, ku ishte i pranishëm edhe rektori Dhori Kule, i cili me autorizim të Kryeministrit Sali Berisha, fillimisht zhvilloi një takim me presidentin e agjencisë gjermane "AQUIN", ku bisedoi për zbatimin e procedurave të vlerësimit të jashtëm dhe të akreditimit. Me realizimin e akreditimit, UT-ja do të asistojë më vonë edhe në procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në vend.
...