E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakaj: Këtë javë, luftë në të dy frontet

Nga ELTON NIKA

Kapiteni i Flamurtarit, Artan sakaj, kërkon të vijohet kështu, pasi përpara janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, me Teutën dhe Bylisin
Artan Sakaj, kapiteni i Flamurtarit, është lojtari që tashmë kërkon të konfirmojë se ekipi vlonjat është rikthyer në skuadrat pretendente të këtij sezoni futbollistik, por ndalet mbi të gjitha te vijimësia që duhet të ketë ekipi, duke qëndruar i tillë me rezultate pozitive në të dy kompeticionet, si në kupë, ashtu dhe në kampionat.

Përballë kemi zhvilluar një nga takimet më të mira që Flamurtari ka luajtur këtë sezon. Do të veçoja takimin në Durrës dhe atë ndaj Vllaznisë si dy takime mjaft të mira, pavarësisht se kemi marrë dy rezultate të kundërta.

Përballë ekipit shkodran, e dinim se luanim ndaj një ekipi pretendent dhe me thënë të drejtën të tillë duhet ti konsiderojmë shkodranët. Parë këtë fakt, në fushën e lojës jemi paraqitur dukshëm me mjaft dëshirë për të fituar, por edhe për të luajtur mirë, siç edhe ka ndodhur gjatë 90 minutave.

Pavarësisht rezultatit të ngushtë, fitorja nuk është vënë në diskutim, por duhet të mos shpërdorojmë aq shumë, kur kemi mundësinë që brenda një takimi të realizojmë gola të tjerë. Jemi vetëm një pikë larg vendit të parë, të mos flasim ende për renditjen, pasi mendoj se kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme për Flamurtarin, ka nënvizuar kapiteni Sakaj.

Kupa Të mërkurën luajmë për kupë në Vlorë ndaj Teutës dhe në fundjavë në kampionat përballë Bylisit në transfertë. Janë dy takime shumë të rëndësishme për Flamurtarin, ndaj na duhet të përgatitemi maksimalisht për të arritur që të marrim rezultatet që kërkojmë në të dy këto takime. Vllaznia tashmë është lënë pas dhe të mendojmë për takimet e radhës. Fillimisht Teuta, pasi edhe kupa është një kompeticion të cilin e vlerësojmë.

Unë them që nuk jemi nën kuotën e zero pikëve, por minus tri pikë pas hapit fals në Kamzë, prandaj ndaj Teutës duhet të bëjmë të pamundurën për të fituar. Por pavarësisht kësaj, unë mendoj se Flamurtari do të jetë mes dy ekipeve të grupit që do të kalojnë më tej, madje në vend të parë.

Më pas vjen Bylisi në kampionat, një ndeshje që ka specifikë të veçantë. Një ekip mjaft i mirë dhe këtë e tregoi edhe këtë javë në Tiranë, ndaj duhet kujdes dhe përgatitje maksimale për të dy takimet. Jemi në rrugë të mbarë, por të vijojmë kështu, – përfundon kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj.

Titullarët habitin trajnerin kur i bashkohen stërvitjes
E hëna ishte e përcaktuar ditë pushimi për futbollistët e Flamurtarit, por nuk ka ndodhur kështu. Lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen me Vllazninë janë bashkuar në stërvitje me ata të stolit. Kam mbetur i befasuar kur kam parë futbollistët në stërvitje dhe kjo tregon për dëshirën e tyre për të vijuar për të qëndruar në formën më të mirë.

E kisha parashikuar një ditë thuajse pushim për futbollistët e formacionit, por kur i kam parë në fushë jam bashkuar me ta dhe kemi zhvilluar një seancë përgatitore të lehtë, duke mos i rënduar shumë. Kjo është diçka domethënëse, duke treguar se ky grup është i bashkuar, pohoi trajneri Lutaj.

Brahja bëhet për kupën, Beqiri për kampionatin
Mbrojtësi Julian Brahja, i dëmtuar prej gati 10 ditësh, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen në kupë me Teutën. Mbrojtësi laçian, që ka dëmtuar gishtin përpara takimit me Pogradecin, pritet të jetë plotësisht e gatshëm për trajnerin Lutaj, megjithatë, gjendja e tij, nëse do të luajë apo jo, do të shihet përpara takimit ndaj Teutës ditën e nesërme. Ndërkohë, i dëmtuari tjetër, mbrojtësi Oriad Beqiri, pritet të rikthehet ndoshta në dispozicion për trajnerin për ndeshjen e kampionatit, atë ndaj Bylisit në transfertë. E rëndësishme është që dëmtimet po rikuperohen dhe në këtë javë të rëndësishme grupi do të jetë i plotë dhe pa mungesa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›