E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuliçi: Kthimi i emigrantëve me precedentë penalë, shkak për vrasjet

Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpjegon se vrasjet e ditëve të fundit janë kryer për motive të dobëta dhe s’ka pasur mundësi parandalimi

Vrasjet e kësaj jave në Korçë dhe Durrës nuk tregojnë një përshkallëzim të krimit në vend, por një situatë të përsëritur si pasojë e kthimit të emigrantëve, një pjesë e të cilëve me precedentë penalë. Këtë ka shpjeguar dje në një konferencë shtypi zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, i cili ka theksuar se policia jo vetëm kontrollon situatën, por ka rritur zbulueshmërinë krahasuar me një vit më parë në 100 për qind. Sipas tij, ngjarjet e ndodhura në këtë periudhë janë krime për motive të dobëta dhe pak mund të bëhet për parandalimin e tyre. Sipas tij, numri i vrasjeve të ndodhura këtë janar është i përafërt me numrin e këtij krimi një vit më parë, por zbulueshmëria e policisë në këtë periudhë dhe efektiviteti i saj në arrestimin e autorëve ka qenë e lartë. Më poshtë, gazeta publikon me redaktime përgjigjet e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për krimet e fundit në vend.

A ka pasur mundësi Policia e Shtetit për të parandaluar ngjarje të tilla si ajo në qarkun e Korçës apo në Durrës dhe a do të merren masa konkrete për efektivë policie të cilët nuk kanë vepruar në kohën e duhur?
Bëhet fjalë për dy ngjarje të ndryshme. Në qoftë se ngjarja e Korçës është e hapur, e kryer në mesditë, në mes të fshatit dhe në tërësi veprimet ishin të hapura dhe ngjarja është e dokumentuar, ngjarja e Durrësit dallon për nga ajo e Korçës për nga mënyra e ekzekutimit. Në ngjarjen e Durrësit, vrasja është kryer në orët e vona të darkës, si rezultat i mirorganizimit nga autorët e kësaj ngjarjeje të cilët kanë shfrytëzuar edhe kohën e keqe në të cilën ka ndodhur ngjarja, dëshmitarët kanë qenë me numër shumë të pakët, për shkak edhe të orës së vonë kur është kryer ekzekutimi, ka pasur veprime shumë të kualifikuara procedurale të kryera nga strukturat e policisë së qarkut të Durrësit në bashkëpunim me prokurorinë dhe me strukturat qendrore. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, për këtë ngjarje është punuar 24 orë derisa është bërë i mundur identifikimi i autorit dhe dokumentimi i saj. Për detajet e mëtejshme, strukturat e prokurorisë në bashkëpunim me strukturat tona janë duke vijuar hetimet, për motivet, mundësitë e parandalimit dhe cilat janë shkaqet që kanë sjellë këtë ngjarje.
Si shpjegohet fakti që në të dyja këto ngjarje kemi të bëjmë me autorë me precedentë penalë?
Është e natyrshme që pikërisht persona me precedentë penalë të jenë të përfshirë në këto ngjarje, pasi qytetarë të thjeshtë që bëjnë një jetë normale nuk ka se si të përfshihen në ngjarje të tilla kaq të rënda.
Cila është arsyeja e tendencës së rritjes së kriminalitetit me disa të vrarë brenda pak ditëve? Pse ka më shumë krime në këtë periudhë?
Dua të informoj publikun lidhur me disa spekulime që janë bërë lidhur me këtë çështje. Realisht, po të krahasohen të dhënat për krimin e vrasjes me ato të vitit të kaluar janë përafërsisht të njëjta, por me një dallim, ka një rritje të forcës zbuluese prej 100% për 12 vrasje të ndodhura dhe ka një rritje të arrestimit të personave që kanë kryer këtë krim në masën 96%. Nga 12 raste që kanë ndodhur për këtë vit, 11 autorë janë arrestuar dhe të 12 ngjarjet janë të zbardhura. Gjatë kësaj periudhe ka prurje të madhe të emigrantëve, ku janë të përfshirë edhe elementë të krimit dhe po ta krahasosh me të njëjtën periudhë të vitit 2009, bëhet fjalë për të njëjtat statistika, më pas ngjarje të tilla pësojnë rënie.
A ka pasur mundësi policia t’i parandalojë këto ngjarje?
Te të gjitha rastet e fundit kemi të bëjmë me ngjarje për motive të dobëta, pra nuk ka pasur konflikte dhe motive të tjera, megjithatë reagimi i policisë ka qenë në kohë dhe është punuar në dy drejtime: në zbulimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.
Çfarë mund të thoni lidhur me akuzën e bërë nga babai i tre vëllezërve të vrarë në qarkun e Korçës për një nga punonjësit e policisë së Korçës?
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe prokuroria do ta hetojnë këtë rast dhe pretendimin e babait të viktimave. Sot babai i tyre doli dhe përshëndeti veprimet e policisë dhe falënderoi të gjitha strukturat e policisë për kapjen e autorit në kohë. Në këtë ngjarje janë përfshirë strukturat e qarkut të Lezhës, të Durrësit dhe është bashkëpunuar ngushtë, duke u kryer operacione të përbashkëta me strukturat policore dhe autoritetet greke. Arrestimi i tij është bërë i mundur në sajë të presionit në mënyrë të vazhdueshme dhe kufizimit të vendit. Ne po përgatisnim forcat për të ndërhyrë, por u negociua dhe autori u vetëdorëzua. Ndërkohë, për të gjitha rastet po hetohet për motivet e sakta të cilat kanë sjellë kryerjen e këtyre krimeve.
Çfarë po bëhet me hetimet për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi?
Zbardhja e kësaj ngjarjeje është prioriteti kryesor i Policisë së Shtetit dhe po punohet për zgjidhjen e saj. Vazhdon të jetë i ngritur një grup pune me specialistët më të mirë të fushës dhe pikërisht sot paradite është kryer një analizë e detajuar e kësaj ngjarjeje. Do të ketë analiza të vazhdueshme me prokurorinë dhe unë jam i bindur se shumë shpejt do të ketë një emër. Kjo është vrasje e një personi me cilësi të veçanta dhe ndryshon nga vrasjet e tjera. Hetimet po vazhdojnë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›