E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici-Prokurori, analizë për 10 muajt e Xhindit

02/02/2010  Grupi hetimor mblidhet për të disatën herë, por pa gjetur emër konkret
Agjentë të SHISH-it vazhdojnë mbikëqyrjen e personave të dyshuar
TIRANE- Sot mbushem plot 10 muaj nga ekzekutimi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, për të cilin dje ekspertë të policisë së shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë zhvilluar një analizë “blic” ku kanë diskutuar lidhur me planin hetimor të veprimit, në mënyrë që të identifikojnë autorin e kësaj ngjarje të rëndë. Në analizë kanë qenë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, drejtori i Krimeve të Hapura, Agron Kuliqaj, përfaqësues nga Krimet e Rënda, drejtoria e qarkut të Fierit, si dhe përfaqësues nga Shërbimi Informativ Shqiptar. Të pranishmit kanë diskutuar materialet e mbledhura lidhur me çështjen, si dhe kanë ndarë detyra të posaçme për secilin sektor. Aktualisht kanë rënë të gjitha pistat hetimore dhe verifikimet po kryhen vetëm në lidhjet e Xhindit me eksponentët e politikës shqiptare. Një mori informacionesh është mbledhur për këtë pistë, por deri më tani grupi hetimor i përbërë prej rreth 100 personash, vazhdon të mos drejtojë gishtin në ndonjë person konkret. Ajo që vazhdon të mbeten ana e mjegullt e kësaj çështje është itinerari që përshkoi i ndjeri Fatmir Xhindi, nga lokali në fshatin Kurjan në banesën e tij, që ndodhet në Roskovec. Kjo pjesë është mbushur plot dyshime, për grupin hetimor dhe për pasojë ata kanë shtuar numrin e agjentëve në zonën e Roskovecit dhe Fierit, në mënyrë që të mbledhin informacione në teren. Ndërkohë që prokurorët vazhdojnë t’i mëshojnë faktit se vrasësi i Xhindit nuk ka qenë profesionist, pasi mënyra e ekzekutimit është krejtësisht amatoreske. Lidhur me këtë çështje janë shoqëruar në polici më shumë se 300 persona, por realisht asnjëri prej tyre nuk ka dhënë informacion të saktë për policinë e shtetit. Kjo e fundit shprehet se zbulimi i ekzekutorëve të Fatmir Xhindit është një nga sfidat më të mëdha të saj dhe për këtë qëllim hetimet e analizat në këtë drejtim nuk do të rreshtin kurrë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›