Vetëdorëzohet pas 4 ditësh, kërkohej për vrasjen e 3 vëllezërve
Pas katër ditë kërkimesh nga policia, vrasësi i dyshuar i tre vëllezërve Mulliri është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës. I shndërruar në personin më të kërkuar për shtetin shqiptar, Besim Karaj i ka dhënë fund arratisjes dhe ka pranuar vrasjen e ndodhur ditën e premte në Vidohovë të Devollit. Ai ka qëlluar me automatik, duke vrarë tre vëllezër të moshës 17 deri 23 vjeç. Viktimat nga ngjarja e rëndë e ndodhur janë Taulant, Xhiljol e Etlevan Mulliri. Rreth orës 15:30, 45-vjeçari Karaj ka shkuar në Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës, ku dhe është dorëzuar. Sipas burimeve nga policia, masakra kishte ndodhur për xhelozi. I arrestuari është shoqëruar në qeli, në pritje për të dalë përpara drejtësisë.
Hetimet
Sipas burimeve nga policia, shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë një lidhje jashtëmartesore e gruas së Karajt me Taulantin, vëllain e madh. Para dy muajsh, Karaj e kishte kapur në flagrancë Taulantin me të shoqen në shtëpinë e tij. Me gjithë konfliktin e nisur, të dyja palët kishin arritur një marrëveshje për ta mbyllur atë. Pas kësaj, ata i kishin sheshuar mosmarrëveshjet. Por Karaj kishte kërkuar nga 23-vjeçari që t’i jepte një shumë prej 8 milionë lekësh, që, sipas tij, e kishte harxhuar nga e gjithë kjo histori. Në fillim Taulanti i kishte dhënë 3 mijë euro. Por vonesa e parave, si edhe fjalët në fshat, se si ai si burrë ia kishte falur këtë tradhti, mendohet që të kenë shkaktuar këtë masakër.
Kërkimi ndaj autorit
Pas masakrës së ndodhur në Vidohovë, autori i ngjarjes arriti që t’i shmangej arrestimit. Në kërkim të tij, përveç forcave të shumta të policisë së Qarkut të Korçës u angazhuan edhe specialët e RENEA-s. Për disa ditë me radhë, agjentët e policisë dyshonin se autori i krimit fshihej në kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë. Për këtë, në operacion u angazhuan edhe forca greke. Ndërkohë që në dispozicion të personave që do të ndihmonin me informacione për arrestimin e 45-vjeçarit u vu edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh. Pas katër ditë kërkimesh, autori i masakrës kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, madje ndodhej në Fushë-Krujë, ku dhe i është dorëzuar më pas forcave të policisë.
Ngjarja
Rreth orës 14:00 të ditës së premte, një person ka qëlluar me breshëri ndaj tre vëllezërve Mulliri, në një nga rrugët e fshatit Vidohovë të rrethit të Devollit. Dy prej tyre kanë humbur jetën menjëherë si pasojë e plumbave, ndërsa vëllai i vogël, i qëlluar i fundit, në gjendje të rëndë është transportuar në spital. Më pas, ai ka filluar të qëllojë në ajër, duke ngjallur frikë tek banorët e zonës. Autori i krimit është larguar më pas nga fshati Vidohovë, duke u drejtuar për në kufirin grek. Sipas burimeve nga policia, në fillim u dyshua për një hakmarrje, pasi nëna e tre djemve të sulmuar kishte vrarë një fëmijë vetëm nëntë vjeç dhe e kishte hedhur më pas në pus. Por më pas, sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur nga xhelozia. Të afërmit e tre vëllezërve të ekzekutuar në fshatin Vidohovë të rrethit të Devollit kanë protestuar, duke bllokuar rrugën që lidh këtë fshat me qytetin e Bilishtit, pasi kërkonin arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë.