E Hënë, 2 Nëntor 2026

Piraterinë e filluan të parët televizione të tjerë, KKRT shkeli procedurat

10/03/2005  Pronari i SHIJAK TV Gëzim Ismaili shprehet se vendimi për heqejn e liçencës është i nxituar

Pronari i Shijak TV, në një intervistë, për "Metropol", thekson se në vendimin e marrë ndaj këtij televizioni është nxituar dhe në kundërshtim me procedurat. Ndaj, ai shprehet i sigurtë se gjykata do të vendosë drejtësinë mbi këtë debat.

Zoti Ismaili, si e konsideroni vendimin e KKRT-së për të ndërprerë sinjalin e Shijak TV?

Vendimi i KKRT-së, për ndërprerjen e transmetimeve të TV Shijak, është pak i ngutur, pasi, pas vendimit për heqjen e licencës, në dhjetor të vitit të kaluar, ne apeluam dhe prisnim të shprehej gjykata për këtë çështje. Në seancën e parashikuar për t'u zhvilluar më 3 mars, përfaqësuesja e KKRT-së mungoi, dhe si pasojë seanca nuk u zhvillua. Kjo ishte seanca që ne mendonim se do ta zhbllokonte çështjen, pasi ky nuk është ndonjë gjyq që kërkon dëshmitarë, është thjesht një shkelje proceduriale, që ne kemi bindjen se e ka bërë KKRT-ja, duke kaluar masën e sanksioneve nga gjoba direkt në heqjen e licensës. Kjo ndodh në një kohë kur ka dhe dy sanksione të tjera për të ezauruar. Për të drejtën e transmetimit është reduktimi i kohës së licencës 50%, masë e cila nuk është marrë, dhe ne këtë kemi kërkuar dhe në gjykatë. Mirëpo, KKRT-ja mungoi vetë në gjykatë, ndoshta dhe për arsye objektive, sepse personi i autorizuar udhëtonte jashtë vendit, por nga ana tjetër i dërgon një shkresë përsëritëse policisë tatimore për të ekzekutuar vendimin.

Akuzoheni për pirateri, mendoni se janë të drejta këto akuza?

Vërtet që akuzohemi për pirateri, por një vit më parë ne ramë dakord që t'i ndërprisnim transmetimet e filmave dhe DVD-të që blinim nga pika të ndryshme. Këtë rregull e prishi këtë vit platforma "Digitalb", që transmetojnë në 6 kanale, pikërisht ato filma që ne kishim rënë dakord me njëri–tjetrin që të mos i transmetonim. Në këtë moment dhe unë fillova të transmetoj. Pastaj, pas "Digitalb", filloi të transmetojë edhe "Sat+" në tre apo katër kanale. Pra, filloi të transmetojë po këto filma, që ne i blinim në të njëjtin vend dhe në të njëjtin distributor. Ata i shisnin transmetimet e tyre pirate me anë të televizioneve "Pay TV", pra me pagesë, ndërsa ne i jepnim falas, këtu ishte ndryshimi. Megjithatë, në momentim që ne iu drejtuam gjykatës për vendimin e KKRT-së i ndërpremë filmat e blerë. Gjykata, nga ana e saj, mendojmë se nuk ka pse ta shtyjë këtë çështje me seanca të pambarimta, duke krijuar kështu dhe një boomerang. Por, sërish ne kemi besim që do ta fitojmë këtë gjyq, pasi është bërë një shkelje proceduriale nga ana e KKRT-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›