E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta sfidon Berishën e Nanon

10/03/2005  Kryetari i LSI-së fton kreun e PD-së dhe të PS-së të konkurojnë në të njëjtën zonë në Tiranë

"Nuk do të kandidoj në Skrapar nëse ata do të pranojnë fetesën time

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka sfiduar dy krerët e partive më të mëdha të vendit, për të kandiduar në të njëjtën zonë elektorale në kryeqytet. Kandidimi në të njëjtën zonë i kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Ilir Metës, sipas këtij të fundit, do të vërtetojë më së miri vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Ndërsa për publikun kjo do të cilësohej si përplasja më e madhe mes "elefantëve" të politikës shqiptare. Në këtë mënyrë, sipas kreut të LSI-së, do të mënjanoheshin manipulimet, që mund të bëjë secili prej krerëve të dy partive kryesore në zonat e tyre lektorale. Madje, duke u shprehur i hapur për një garë të "madhe", Meta u ofron Berishës dhe Nanos të drejtën e zgjedhjes së një zone elektorale në Kryeqytet. "Do të kishte vetëm arsye për të mos përfaqësuar zonën time elektorale, në rast se kryetarët e dy partive, për momentin ende të mëdha në parlament, do të pranonin ftesën time për të kandituar të tre së bashku në një zonë të Kryeqytetit, ku të dëshirojnë ata", tha Meta.

Kandidimi

Ftesa e Metës, bëhet në një moment kur për dy kryetarët e partive kryesore në vend tashmë është përcaktuar dhe zona, në të cilat do të hedhin kandidaturat për deputet. Ndarja elektorale e vendit, e cila u miratua gati dy javë më parë, rezulton e favorshme për Nanon dhe Berishën. Zona elektorale numër 99, e cila përfshin Sarandën dhe Ksamilin, rezulton me një numër zgjedhësish 17 921, duke u renditur zona me më pak votues. Ndërkohë që zona elektorale numër 48, tashmë e cilësuar bastion i demokratëve, duket se do të ketë kanditat sërish kreun e PD-së. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së, i cili do të kandidojë në zonën 79, ku në përbërje të saj futen 8 komuna dhe 2 bashki. Tradicionalisht kjo zonë është fituar nga Ilir Meta. Kreu i LSI-së tha se "në rastin e kandidimit tim nuk besoj se ka ndonjë arsye që të ndryshoj zonën elektorale, ashtu sikurse ka ndodhur në katër legjislatura të deritanishme, duke përfaqësuar zonën elektorale të rrethit të Skraparit". Gjithashtu, kryetari i LSI-së shprehet se dhe kandidimi i emrave të tjerë të kësaj partie në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere do të jetë një garë për të fituar direkt në mazhoritar. Meta tha se "nuk kemi mundësi, që për shkak të ndarjes së zonave zgjedhore, që të kandidonim më shumë se në 100 zona elektorale. Kandidimi nuk do të jetë një kandidim fiktiv, apo formal, për të mbledhur vota për subjektin e LSI-së, por kandidatët tanë në të gjithë vendin do të jenë me shpirtin e garës për të fituar drejtpërdrejt në mazhoritar".

Zgjdhjet

Data se kur do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme nuk përbën një çështje të rëndësishme, pasi, sipas Metës, gjëja më primare në procesin elektoral është mbarëvajtja e këtij procesi. Gjithsesi, LSI-ja grupohet me forcat e djathta të sepktrit politik shqiptar për ta afruar datën e zgjedhjeve brenda muajit qershor. LSI paralajmëron se Kodi Zgjedhor shënon probleme serioze në të gjithë kuadrin ligjor dhe institucional në organizimin dhe adminitrsimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas Metës, problemet në kod dhe ndarjen e zonave cënojnë dhe deformojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Fatos Nano

Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, do të kandidojë në zona elektorale numër 99 të vendit, për të fituar mandatin e tij si deputet. Kjo zonë, sipas hartës elektorale, regjistron 17 921 zgjedhës, të cilët janë të shpërndarë vetëm në dy bashki, në Ksamil dhe në Sarandë. Nano kandidon për herë të parë në këtë zonë elektorale.

Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të kandidojë në zonën elektorale numër 48. Kjo zonë regjistron 22 099 zgjedhës. Kjo shifër është e shpërndarë në bashkinë e Kavajës dhe në komunën e Helmasit. Tradicionalisht, Berisha ka kandiduar në këtë zonë, duke e kthyer atë në një bastion të Partisë Demokratike.

Ilir Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, do të kandidojë në zonën elektorale numër 79, e cila regjistron 22 811 zgjedhës. Zgjedhësit janë të shpërndarë në komunat Bogovë, Cepan, Gjerbës, Leshnjë, Potom, Qendër Skrapar, Vendresh, Zhepë dhe në bashkitë Çorovodë, Poliçan. Meta ka rezultuar katër legjistratura fitus në këtë zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›