PD premton ngritjen e fabrikave për përpunimin e prodhimit vendas
10/03/2005 Berisha vijon turin elektoral "Ditët e Shpresës" në Krutje të Lushnjës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar dje, në një takim me elektoratin në Krutje të Lushnjës, se me ardhjen e PD-së në pushtet do të bëhet e mundur ngritja e fabrikave të përpunimit të prodhimeve vendase në të gjitha zonat bujqësore. Berisha tha se të gjitha problemet për fermerët shqiptarë vijnë nga tregtia e pandershme dhe mbytja e tregut me prodhime të importit, që i kanë monopolizuar vetë pushtetarët. "Ne kemi ardhur sot që të bashkëbisedojmë së bashku se si mund të ndryshojmë vendin tonë dhe se si mund të dalim nga kriza, që na ka pushtuar të gjithëve, sidomos fermerin shqiptar nga gjendja e mjeruar ku e ka futur qeveria aktuale. Disa nga pikat e strategjisë tonë për zhvillimin e bujqësisë do të jetë shkurtimi i akcizave për naftën te mekanizmat bujqësorë dhe ngritja e fabrikave për përpunimin e prodhimeve vendase, me qëllim që fermeri të ketë ku ta shesë prodhimin e tij", tha Berisha. Duke bërë një krahasim me vitin 1996, kreu demokrat tha se prodhimi bujqësor vendas në këtë vit mbulonte rreth 60% të nevojave të brendshme, ndërsa sot ky prodhim nuk mbulon as 8% të nevojave. Sipas Berishës, megjithëse Krutja ka një reliev të pasur, me fusha pjellore dhe tepër prodhimtare, sërish fermerët e kësaj zone janë të detyruar të shohin se si kalben prodhimet e tyre, sepse ministri i Bujqësisë ka monopolizuar të gjithë importet e prodhimeve ushqimore. Sipas tij, dyfishimi i vendeve të punës, si dhe rritja e pagave dhe e pensioneve në masën 100% do të jenë pjesë e strategjisë së PD-së për të frenuar emigrimin në masë të shqiptarëve. "Dyfishimi i pagave të 400 mijë pensionistëve dhe rritja dyfish e punësimit, do të jenë dy pikat kryesore, ku do të ndalet fillimisht qeveria e ardhshme", tha Berisha.