E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko e Xhafa shpëtojnë skandalin diplomatik për Serbinë dhe Kosovën

10/03/2005  Në mbledhjen e Qeverisë Kosova është cilësuar pjesë e Unionit të dalë nga ish Jugosllavia

Debate të ashpra mësohet të jenë zhvilluar dje në mbledhjen e jashtëzakonshme të kabinetit qeveritar, në lidhje me miratimin e një marëveshjeje për të hequr taksat e dyfishta me Unionin Serbi-Mali i Zi. Marrëveshja, e cila është nënshkruar gati dy muaj më parë mes ministrave të Punëve me Jashtë të Shqipërisë dhe Unionit Serbi-Mali i Zi ka rezultuar skandaloze për dy anëtarë të kabinetit Nano. Pikërisht në nenin 3 të kësaj marrëveshjeje shpjegohet se komuniteti Serbi-Mali i Zi nënkupton territorin tërësor të Jugosllavisëm që përfshin këtu dhe Kosovën. Kjo nënkupton se Shqipëria e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë dhe Malit të Zi. Ndërsam në strategjinë kombëtare thuhet se Shqipëria mbështet arritjen e pavarësisë së Kosovësm konform standardeve të kërkuara prej BE-së. Në këtë pikë, marrëveshja ka gjetur kundërshtimin e ministrit të Mbrojtjes, Pandeli Majko, i cili mësohet të ketë kërkuar një saktësim të përcaktimit të territorit të unionit Serbi-Mali i Zi. Majko është mbështetur nga ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, të cilët e kanë cilësuar marrëveshjen si antishqiptare. Kundërshtimi ka ardhur në një kohë që po bëhej votimi i kësaj marrëveshjeje, duke sjellë dhe shtyrjen e shqyrtimit deri në një saktësim të plotë të pikave të kësaj marrëveshjeje. Tashmë do të jenë ekspertët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që do të saktësojnë konceptet që vihen në një marrëveshje, e cila mund të ndikonte drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit.

Debati

Ministrat Majko dhe Xhafa, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, i kanë kërkuar kreut të ekzekutivit, Fatos Nano, më shumë transparencë dhe saktësim të çështjeve që shtron marrëveshja. Ndërkohë, mësohet se ministrat kanë kërkuar sqarim pse qeveria nuk i është referuar Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Kosovës. Gjithashtu, për ta, është cilësuar si skandal që kjo marrëveshje të diskutohet në një moment të tillë, siç është situata në Kosovë, pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj. Këtyre pyetjeve, stafi juridik i Kryeministrit u është përgjigjur se kjo marrëveshje ka qenë e nënshkruar gati dy muaj më parë nga ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, me homologun e tij të unionit Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviç, më datën 22 dhjetor 2004, gjatë një vizite të këtij të fundit në Shqipëri. Në marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së Drashkoviç në Tiranën zyrtare, nga ana e tij është përdorur një terminologji, e cila favorizonte unionin Serbi-Mali i Zi për të gjitha çështjet rajonale që janë diskutuar. Gjatë vizitës së Drashkoviç, në Shqipëri, është vlerësuar nga pala shqiptare rivendosja e dialogut politik pas mëse 50 vjetësh me Serbi-Malin e Zi, për t'i hapur rrugë institucionalizimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme, Vuk Drashkoviç, në dhjetor, në Tiranë, pritej të pasohej nga vizita e Islamit në Beograd. Kjo vizitë e planifikuar për t'u zhvilluar në fillim të pranverës është anuluar dy ditë më parë nga ministri i Punëve të Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›